Linhart: “Ballkani i hapur”, rajoni të zhvillojë bashkëpunimin

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Ministri federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Michael Linhart u shpreh sot pro nismës së “Ballkanit të hapur”, duke deklaruar se, “vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë veten dhe të intensifikojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre”.

I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka për nismën e “Ballkanit të hapur”, Linhart tha se, “bëhet fjalë që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë veten dhe të intensifikojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre. Të zhvillojnë bashkëpunimin. Të kenë mundësi të bashkëpunojnë në rajon me njëri-tjetrin”.

“Unë mendoj që edhe nga ana jonë është e mundur që ta mbështesim këtë gjë. BE këtu sigurisht që duhet të zgjasë dorën dhe duhet të bëjë disa projekte më shumë. Si për shembull, për rininë, programin Erasmus dhe të mbështesë të qenit së bashku, që kjo së bashku të ekzistojë edhe në Ballkanin Perëndimor”.

Ndërsa ministrja Xhaçka, u shpreh se, “ky nuk është absolutisht një proces që e pengon anëtarësimin në BE, apo të gjithë procesin e integrimit. Nuk është asnjë plan, apo komplot për ta mënjanuar rajonin tonë nga ajo që është perspektiva e natyrshme e tij drejt Evropës”.

Përkundrazi, shtoi Xhaçka, “është thjesht një instrument për të përshpejtuar procesin e Berlinit, që në fakt synon saktësisht garantimin e 4 lirive të BE. Lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, të kapitalit dhe të shërbimeve. Vetëm kaq”.

“Është një instrument në fakt që është i bazuar tek vetë eksperienca e BE. Dhe po të kthehemi dhe të shikojmë sesi nisi vetë BE, si një integrim hap pas hapi i disa vendeve që e kishin luftuar njëri-tjetrin ndër shekuj. Në fakt ky është thelbi. Që nga konflikti, të kalohet tek zhvillimi, të kalohet tek bashkëpunimi, tek shkëmbimet, gjithmonë në të mirë të vendeve tona, dhe në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Xhaçka.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.