Ballina Flash

Vrasja e të miturit në Fier, Muzhaqi: Ndjesë për keqkuptimin, asnjë koment për sarkazmën politike apo mediatike me tragjedinë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka kërkuar sot ndjesë për keqkuptimin që ka ndodhur, përballë disa medieve, të cilat e pyetën mbi rastin e vrasjes së të miturit në Fier.

Muzhaqi është shprehur e prekur nga tragjedia e Fierit dhe thekson se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet ashtu si duhet, nga institucionet.

Ajo ka theksuar se, nuk ka asnjë koment sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë.

“Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune”, ka theksuar Muzhaqi në një reagim.

“Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja”, ka nënvizuar Muzhaqi.

“Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njëri-tjetrin. Ndjesë edhe një herë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time”, ka përfunduar reagimin e saj ministrja Muzhaqi.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkia Korçë angazhohet në Planin Kombëtar të Pastrimit
Artikulli tjetërBlushi reagon ndaj Bashës, i rikujton katërkëndëshin e përgjegjësive të tij