TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to””.
Pas mbledhjes se qeverisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se “kjo ka qenë një kërkesë e Komisionit Evropian për përafrimin e të gjithë pjesës së kapitujve që lidhen me integrimin evropian. Ministria e Kulturës ka qenë pjesë e një prej kapitujve kemi arritur të sjellim përmes këtyre ndryshimeve ato kërkesa që lidhen me veprat pa autor, një kapitull që kishte ngelur pa udhëzimet dhe direktivat e duhura në ligjin e miratuar në 2016”.
Margariti bëri të ditur se Ministria e Kulturës gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar shumë konsultime publike, si me autorët, artistët, që përfitojnë nga e drejta e autorit, por edhe me agjencitë e administrimit kolektiv.
“Kemi arritur të dalim bashkë me ta në konkluzione të tjera që kanë nevojë për ndryshime në ligj dhe i kemi sjellë këto jo vetëm i përafrim i Komisionit Evropian por edhe për të zgjidhur problematika që i kemi hasur në këto vite që nga 2016, me zbatimin e ligjit.
Ne do të vazhdojmë në bazë edhe të ligjit, të cilin do ta kalojmë edhe në parlament me udhëzime të tjera që lidhen si me vendimin e Këshillit të Ministrave, që do të sjellë risi sa i përket mënyrës së ndarjes së përqindjes aty ku ka pasur përplasje mes agjencive kolektive, për të pasur shmangie totale të konfliktit të interesit, përplasjen e mbivendosjes së kategorive të ndryshme të artistëve, të cilat deri tani në ligj nuk kishin gjetur përafrimin e duhur për zgjidhjen e tyre”, nënvizoi Margariti.
Ministrja Margariti tha se është shpresëplotë që me këto hapa që do ndërmerren edhe në muajt në vijim do të ketë zgjidhje të atyre problematikave, që mbi të gjitha janë problematika të artistëve dhe përfaqësuesve të tyre.
/k.s/j.p/r.e/























