TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot delegacionin e Komisioneve të Mbrojtjes së Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë, të kryesuar nga senatorja Roberta Pinotti, kryetare e Komisionit të Mbrojtjes në Senat dhe deputetin Gianluca Rizzo, kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve.
Nikolla vlerësoi lart bashkëpunimin midis të dy vendeve, të cilit i dha një impuls të ri edhe vizita e djeshme e kryeministrit Edi Rama në Romë dhe takimi me kryeministrin Mario Draghi.
Nikolla vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të zgjerohet në të ardhmen.
“Italia është një fqinje dhe mike e çmuar e Shqipërisë, mbështetëse e fuqishme e zhvillimit të vendit dhe konsolidimit të demokracisë, partnere e ngushtë në NATO, mbështetëse e vendosur e rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe shtëpia e dytë e qindra-mijëra emigrantëve shqiptarë, të cilët kontribuojnë për familjet e tyre, por edhe për ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies të të dy vendeve tona”, u shpreh Nikolla.
Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Senat, Roberta Pinotti, vuri në dukje midis të dy vendeve është ndërtuar një model i jashtëzakonshëm bashkëpunimi dhe e vuri theksin në bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike.
Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve, Gianluca Rizzo, vuri në dukje se solidariteti i popullit italian me popullin shqiptar gjatë fillimeve të valëve migruese, si edhe solidariteti i popullit shqiptar me popullin italian gjatë pandemisë, tregojnë se midis të dy popujve po ndodh një shkëmbim i natyrshëm solidariteti.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, si edhe përfaqësues të Guardia di Finanza në Shqipëri.
Ambasadori Fabrizio Bucci u shpreh se Ambasada po vazhdon të mbështesë bashkëpunimin midis të dy vendeve, i cili po shënon një progres të dukshëm kohët e fundit.
/r.e//a.a/













