Ballina Ekonomi

Elbasan-Qukës, MIE parashikon ndërtimin e korsisë së tretë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Aksi rrugor Elbasan-Qukës do të zgjerohet me një korsi të tretë, çka pritet të ketë një ndikim të madh në rritjen e sigurisë rrugore.

Nevoja e ndërhyrjes vjen për shkak se ka një fluks të madh mjetesh që lëvizin drejt Korçës e Pogradecit, por edhe për faktin se kjo rrugë mban edhe të gjithë fluksin e mjeteve që shkojnë dhe vijnë nga Maqedonia e Veriut.

Përfaqësuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi deklaroi sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se aktualisht është faza e diskutimit të projektidesë së hartuar për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan-Qukës.

“Synohet ndërtimi i korsisë së tretë në këtë aks rrugor që lidhet thelbësisht me risqet e sigurisë rrugore, duke qenë se është një aks që shtrihet në një terren malor dhe ka vështirësi të lartë, sikurse ka disa kryqëzime me hekurudhën në atë zonë dhe shoqërohet në terrene me gjeologji të vështirë që shpesh na paraqesin zona të rrëshqitshme”, tha Elezi.

Sipas tij, shtimi i korsisë së tretë në zonat ku ka mundësi bën të mundur shmangien e trafikut dhe krijimin e mundësisë për parakalim kryesisht të mjeteve të rënda që kanë destinacion pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës.

Po ashtu në projektidenë e hartuar parashikohet edhe ndërtimi i bajpaseve të qyteteve të Librazhdit dhe Përrenjasit.

Konsulentët janë bashkimi i operatorëve ekonomikë “Infra Consult” dhe “HMK Consulting”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Veting në politikë për pastrimin e institucioneve
Artikulli tjetërKomisioni i Veprimtarisë Prodhuese miraton 2 ndryshime në buxhetin 2022