TIRANË 18 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se Berisha ka nisur një betejë personale për t’u mbrojtur nga vendimi i SHBA-së.
Në një intervistë televizive duke folur për situatën në PD dhe Kuvendin e 18 dhjetorit, Basha tha se “në ‘Foltore’ shkojnë me shumicë ata që nuk përfaqësojnë demokratët, por më të keqen e Partisë Demokratike”.
“Jam përpjekur këto shtatë apo tetë javë jo vetëm të ruaj vetëpërmbajtjen, por të tregoj respekt për të gjithë demokratët që kanë vendosur të dëgjojnë Berishën kur ai e nisi në emër të demokracisë së brendshme dhe zbatimit të statutit. Dhe aty ka disa kategori njerëzish. Aty shkojnë demokratë që kanë një respekt të veçantë për liderin historik, demokratë për të dëgjuar Berishën. Aty shkojnë demokratë që janë të pakënaqur me mua dhe në asnjë moment si ka etiketuar apo sulmuar, por aty shkojnë me shumicë ato që nuk përfaqësojnë demokratë por më të keqen e Partisë Demokratike. Përfitues gjatë viteve të qeverisjes të bërë milionerë dhe multimilionerë paligjshmërisht duke shkelur mbi sakrificën e demokratëve. Ndërsa në procesin e ashtuquajtur të mbledhjes së firmave, tashmë në mënyrë të dokumentuar të pakundërshtueshme PD ka evidentuar faktorë të krimit të organizuar që në zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë rreshtuar në krah të Edi Ramës”, tha ai.
Basha shtoi Berisha ka nisur një betejë personale për t’u mbrojtur nga vendimi i SHBA-së.
“Ndaj, vendimi i kryesisë i të hënës për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së, sepse një parti ka një kuvend sepse nuk ka dy palë një parti që është PD dhe nga ana tjetër ka një individ i cili ka nisur një beteje personale për tu mbrojtur nga vendimi i SHBA-ve të cilët e kanë shpallur “non grata”. E nisi këtë betejë me zotimin se nuk do ta përfshinte PD, ndërkohë ka nisur një lëvizje brenda Partisë Demokratike me pretekstin e zbatimit të statusit dhe të demokracisë së brendshme që degjeneroi në atë formë që ju e patë javën e kaluar me kyçjen e një numri, që ai i quan formularë në një kasafortë që ai pretendon se është vullneti i demokratëve për kuvend. Në fakt, për fat të keq, siç tregojnë të dhënat tona, siç tregojnë disa të dhëna të bëra publike edhe nga mediet ky nuk është një proces as në lidhje me statutin, as me lidhje me rregullat e funksionimit të brendshëm të PD-së”, shprehet ai.
Basha deklaroi se Berisha nuk mund të përdorë PD-në si mburojë ndaj SHBA-së.
“Nga ana retorike është linçim i atyre që mendojnë ndryshe brenda familjes së PD-së, që mendojnë njësoj siç mendoj dhe kam vendosur unë që interesat e askujt nuk mund të jenë më të rëndësishme se interesat e Partisë Demokratike. Që interesat e Sali Berishës dhe problemet e tij, në këtë rast shpallja “non grata”, nuk mund të shërbejnë për ta përdorur PD si murojë për këto interesa dhe nga ana tjetër një përpjekje e pakicës së pakicës për tu imponuar jashtë rregullave dhe siç e shohim me një proces tërësisht të diskretituar. Prandaj për këtë arsye, për ti dhënë fund në radhë të parë kësaj kulture linçimi, kësaj fryme përçarje për ta bërë farë të qartë se PD ka lindur është dhe do të vazhdojë të jetë një parti properëndimore krah për krah me aleatë strategjik për të munduar regjimin që kemi përballë më 18 dhjetor zhvillohet kuvendi i PD-së”, tha ai.
/j.p/r.e/























