Ballina Aktualitet

Paloka: Palët të verifikojnë firmat e 4200 delegatëve të Kuvendit

TIRANË 15 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka propozoi sot si zgjidhje për ngërçin e thirrjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së më datë 11 dhjetor që palët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të verifikuar 4200 firmat.

Në një prononcim për mediet, Paloka ftoi palët e interesuara “të vijnë në zyrën time të marrin formularët dhe të bëjnë verifikimin një nga një me telefon apo si ta duan, për të gjitha 4200 firmat që janë zyrtarisht në zyrën time dhe të ecim me këtë proces pa vazhduar me sulme ndaj njëri-tjetrit, me dyshime, me mosbesime që vetëm dëmtojnë Partinë Demokratike”.

“Meqë gjendem në këtë pozicion mes dy palëve po propozoj një zgjidhje. Nëse duan dhe nuk besojnë se janë ato firma apo jo, le të vijnë dhe të ulen nga një përfaqësues nga të dy palët t’i marrin një nga një dhe t’i verifikojnë. Nëse nuk duan, atëherë i bie se s’duan dhe është i qartë qëndrimi këtu dhe nuk ka më dyshime. Por në qoftë se bie që janë mbledhur 4200 firma të delegatëve të kuvend dhe ti del e thua nuk e njoh kuvendin, pastaj këtu nuk ka nevojë për komente. Të dy palët të caktojnë nga një person të besueshëm të tyre. Unë hodha si ide që mund të jetë nga njëra anë sekretari zgjedhor, e nga ana tjetër sekretari organizativ. Të marrin formularët e të verifikojnë që janë apo jo delegatë dhe kanë firmosur apo jo. Kështu do të mbyllej kjo histori. Jemi në kushtet e palëve. Si do e votojë kryesia e partisë diçka që duket në dritë të diellit. Nëse vërtetojnë që 4200 delegatë kërkojnë mbledhjen e Kuvendit, nuk ka rëndësi as kryetari e asnjë tjetër”, tha Paloka.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Blinken fajëson Bjellorusinë dhe Rusinë për krizën në kufirin polako-bjellorus
Artikulli tjetërDurrës, 42 familje të Manzës me shtëpi të re pas tërmetit