TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ “Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm votimin për drejtorin e ri të Radio Televizionit Shqiptar”, u shpreh sot në një deklaratë në emër të Partisë Demokratike, kryetari i Komisionit të Medias, Agron Gjekmarkaj.
“Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median, për të cilën shqiptarët, me apo pa parti, paguajnë taksë”, tha ai.
“Për sa kohë opozita është e papërfaqësuar në këtë Këshill dhe disa anëtarë të saj janë zgjedhur në parlament pa pëlqimin e PD, ne i konsiderojmë nul të gjitha vendimet e tij”, u shpreh Gjekmarkaj.
“Ligji parashikon që Këshilli Drejtues të jetë i balancuar politikisht në mënyrë që të garantohet jo vetëm përfaqësimi, por edhe pavarësia, integriteti dhe autoriteti i këtij enti publik”, theksoi ai.
“Me emërimin e sotëm, Edi Rama e hodhi në erë këtë parim, duke u provuar edhe një herë si armik i ligjit dhe i pavarësisë së medias”, përfundoi Gjemarkaj.
/a.a/r.e/






















