TIRANË 12 nëntor /ATSH-I.Vata/ Arrestohet nga SHÇBA polici me detyrë nënkomisar në Elbasan, pasi dyshohet se është përfshirë në korrupsion pasiv.
SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të procedimit penal të vitit 2021, ndjekur me metoda speciale të hetimit, ka kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë nënkomisar K.O., 52 vjeç, me detyrë specialist dhe oficer i Policisë Gjyqësore për hetimin e aksidenteve në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan.
“Punonjësi i policisë dyshohet për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i detyrës” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi në detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore për hetimin e aksidenteve rrugore, ai dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerën 50.000 lekë gjatë hetimit të një aksidenti rrugor, ku mbetën të plagosur disa shtetas”, thuhet në njoftim.
/j.p/r.e/























