TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Situata në tregun e brendshëm valutor paraqitet e qetë në tremujorin e tretë të vitit, e karakterizuar nga mbiçmimi me natyrë sezonale i lekut kundrejt euros dhe nënçmimi i tij ndaj dollarit amerikan.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kursi euro/lek shënoi forcim gradual gjatë tremujorit të tretë, duke zbritur në nivelin 121.6 lekë/euro në muajt gusht e shtator, nga niveli mesatar prej 123.0 lekë/euro i tremujorit të dytë të vitit.
Sipas BSH-së, zhvillimet për pjesën e parë të muajit tetor tregojnë se kursi euro/lek luhatet pranë mesatares së muajit shtator.
Niveli aktual i kursit euro/lek përfaqëson një mbiçmim vjetor të lekut prej rreth 2.0 %.
“Por ecuria e deritanishme e lekut kundrejt monedhës evropiane është në linjë me sjelljen sezonale të tij”, thekson BSH-ja, që konstaton se, krahasuar me vitet përpara pandemisë vërehet një zhvendosje e kësaj sjelljeje nga tremujori i dytë i vitit në tremujorin e tretë të tij, në reflektim të lehtësimit të lëvizjes së njerëzve në këtë periudhë.
BSH-ja vëren gjithashtu se edhe treguesit e stresit për kursin euro/lek, luhatshmëria, spread-et e kuotimit, treguesi i anshmërisë për mbiçmim/nënçmim, mbeten brenda niveleve normale.
Intensiteti i luhatjeve afatshkurtra në kahun mbiçmues të kursit euro/lek ka ardhur në rënie dhe pozicionet e agjentëve ekonomikë në treg mbeten të balancuara në një horizont kohor afatmesëm.
/r.e/













