TIRANË 11 nëntor /ATSH-I.Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, u mblodh sot për shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022” për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Kryetari i SPAK, Arben Kraja u shpreh se ky institucion është i ri dhe nuk ka funksionuar përpara në nivel buxhetor. Ai evidentoi dy problematika gjatë diskutimeve në komisionin parlamentar.
“Problemi i parë është një ndërtesë për BKH, e cila është një strukturë e ngritur në varësinë tonë dhe që ka në organikë një numër prej 60 hetuesish. Deri tani i kemi përfshirë në ndërtesën e SPAK, por është e pamundur të përballohet. Aktualisht nuk është plotësuar numri i BKH-së, por në muajin maj të vitit që vjen me shtimin e numrit prej 32 hetuesish të tjerë, duhen sistemuar në një godinë tjetër”, tha ai.
Kraja propozoi që të gjendet një objekt i gatshëm që të sistemohen punonjësit e BKH-së.
“Ligji parashikon që BKH të ketë shërbimet e policisë gjyqësore, që do të thotë që përfaqësues nga Policia e Shteti apo Prokuroria të cilët rrinë në objektet ku janë, por paguhen nga BKH. Kjo ka problematikë nga pikëpamja e përcaktimit të numrit dhe të fondit. Është problematikë e ligjit, por thjeshtë e prezantova. Për të tjerat jemi dakord për ato që ka prezantuar Ministria e Financave”, tha ai.
Për vitin 2022 buxheti i parashikuar për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është 1 miliard lekë.
/a.a/r.e/






















