Ballina Flash

Pelikani kaçurrel shfaqet në lagunën e Vilunit, Velipojë


TIRANË 8 nëntor /ATSH-I.Vata/ Pelikani kaçurrel është parë në lagunën e Vilunit, Velipojë.

Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër e cila ka postuar një video me pamje të pelikanit kaçurrel në këtë lagunë.

“Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) në lagunën e Vilunit, Velipojë”, informon Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shkodër.

Nga specialistët e mjedisit në këtë zonë janë vërejtur mjaft specie të rikthyera duke e populluar atë. Një ndër të rrallët është edhe pelikani kaçurrel, një nga speciet e pakta në Evropë që deri tani ka shfrytëzuar si strehën e tij të fundit lagunën Divjakë-Karavasta.

Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën Karavastasë në Shqipëri.

Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrele (të përkulura), qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është si i bardhë. Në majat e krahëve ka pak pendë të zeza.

Gjatësia e trupit është rreth 180 cm, ndërsa hapja e krahëve rreth 3 m. Pesha mesatare është prej 11,5 kilogramë dhe e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, ndryshime në listën e Kombëtares
Artikulli tjetër“Humus”, himn për ekzistencën e natyrës dhe dashurisë për tokën