Ballina Ekonomi

Mbi 25 mijë individë përdorues të rregullt të platformës e-Albania

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, tha se “qeveria nuk mbeti vetëm në kuadrin e premtimeve për një bashkëqeverisje bashkë me qytetarët, por e konkretizoi këtë nismë me një risi, në mënyrën e qeverisjes, duke konsoliduar këtë bashkëpunim në ngritjen dhe funksionimin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe së dyti, pajisjen e saj me platformën online “përshqipërinëqëduam”.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Ekonomi theksoi se, një qeverisje e mirë mbetet ajo që dëgjon qytetarët dhe qeveria e solli në këtë moment me funksionimin e agjencisë, në një kohë kur kanë avancuar edhe institucionet në digjitalizimin e shërbimeve publike.

“Sot ne kemi 10209 shërbime publike dhe asistojmë më shumë se 2 milionë individë dhe ndërkohë Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, vazhdon të punojë me shqyrtimin e letrave apo ankesave të qytetarëve, të cilat sot vijnë në një formë digjitale, vetëm me një klik pranë Agjencisë”, tha Ekonomi.

Ajo bëri të ditur se, më shumë se 25 mijë individë që kanë aplikuar në platformën “Shqipëria që duam”, janë bërë përdorues të rregullt të platformës e-Albania.

Nga ana tjetër, theksoi Ekonomi, kjo platformë nuk mbeti vetëm në marrjen e ankesave por krijoi dhe modelin e ri të interpelencës, ku u organizuan 42 interpelanca me ministra të ndryshëm, për çështje të ndryshme që kërkonin subjektet dhe individët sqarim.

“Mbi 275 ankesa e kërkesa të individëve, janë trajtuar në platformën online, për lëvizje në zonat e prekura nga tërmeti. Gjithashtu përmes platformës i është mundësia 32 mijë qytetarëve të zgjidhin problemet, që kanë pasur gjatë kohë së pandemisë dhe 2 mijë studentë dhe pedagogë, komunikuan përmes platforme për Paktin për Universitetin”, u shpreh Ekonomi.

Ajo tha se, deri tani platforma ka zgjidhur mbi 75% të rasteve nga 140 mijë ankesa.

“Platforma e bashkëqeverisjes “Shqipëriaqëduam.al” i mundëson çdo qytetari pavarësisht ku ndodhet, çfarë krahu politik është, i punë apo i papapunë, të marrë shërbimet e shtetit në kohën e duhur me transparencë dhe cilësi”, deklaroi Ekonomi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali: Bashkëqeverisja e konsoliduar në 4 vite, mbi 53 mijë ankesa të zgjidhura
Artikulli tjetërFUTBOLL – Përsëritet rasti Eriksen