Ballina Ekonomi

Gazheli në samitin e Selanikut: Korridoret e gjelbra, shembull i bashkëpunimit rajonal

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli mori pjesë në takimin mbi konektivitetin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që organizohet në kuadër të Samitit të Selanikut. Ky samit po zhvillohet nën kujdesin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.

Në fjalën e tij, kreu i administratës doganore, Gazheli vlerësoi rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet një sërë nismash për lehtësimin dhe rritjen e tregtisë, heqjen ose reduktimin e barrierave, sigurimin e lëvizjes së lirë të mallrave, si dhe harmonizimin e rregullave dhe procedurave me legjislacionin e EU për të lehtësuar aksesin në tregun e përbashkët evropian.

“Lançimi i “korridoreve të gjelbra” (Green Corridors) ka provuar se ishte një nga shembujt më të suksesshëm në bashkëpunimin rajonal, jo vetëm në drejtim të rritjes së vëllimeve tregtare me përfitime ekonomike që siguron tregtia e lirë, por edhe në menaxhimin efektiv të vaksinave dhe medikamenteve mjekësorë në kushtet specifike të shkaktuara nga pandemia COVID-19”, u shpreh ai.

Në kuadër të CEFTA-s, shkëmbimi paraprak i informacioneve mes administrative doganore mundësohet nga sistemi SEED (Systematic Exchange of Electronic Data), i cili ka rritur ndjeshëm ndërlidhjen dhe operativitetin e procesimit të deklaratave doganore të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, anëtarë të CEFTA-s.

Ai cilësoi se mbajtja dhe përmirësimi i “korridoreve të gjelbra” mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi me pikat doganore të përbashkëta me vendet anëtare të BE-së merr një rëndësi të veçantë në funksion të integrimit evropian dhe hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.

Më tej, Gazheli informoi pjesëmarrësit e këtij takimi edhe për 3 projektet rajonale që po zbaton administrata doganore me fokus kryesor lehtësimin e tregtisë.

“Sistemi Transit i Kompjuterizuar (NCTS) për dërgimin e deklaratave në mënyrë elektronike, National Single Window, që synon reduktimin e kostove të biznesit në pikat doganore në një dritare të vetme dhe ITMS (Integrated Tariff Management System), që mundëson përfitime për administratën doganore përmes teknologjisë së informacionit të ofruara nga Bashkimi Evropian për zhvillimin e infrastrukturës dhe eliminimin e barrierave të tregtisë, janë 3 projektet në zbatim për lehtësimin e tregtisë”, tha Gazheli.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – OBSH: Evropa në qendër të pandemisë globale
Artikulli tjetërRama: “Ballkani i hapur” vetëm përfitime, asnjë përpjekje për t’iu imponuar Kosovës