NJU JORK, 4 nëntor /ATSH-DPA/- Përpjekjet për shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës po përshkallëzohen deri në pikën që Republika Srpska mund të prishë dhe shkatërrojë një marrëveshje paqeje që i dha fund një lufte në rajon, paralajmëroi një i dërguar i lartë në një raport për Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Bosnje-Herzegovina (BH) po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”, deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, gjermani Christian Schmidt.
Schmidt fajësoi Milorad Dodik, një nacionalist serb dhe përfaqësues në presidencën shtetërore boshnjake.
Dodik ka shprehur prej vitesh ambicien e tij për të parë Republikën Srpska (RS) me shumicë serbe të shkëputet nga pjesa tjetër e Bosnjes.
Dodik theksoi se kohët e fundit Republika Srpska dëshiron të tërhiqet nga administrata e përbashkët gjyqësore, ushtarake dhe fiskale e vendit.
Plani i Dodikut do të shkatërronte arkitekturën e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995 që i dha fund luftës më shumë se trevjeçare midis serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve.
Traktati krijoi dy pjesë kryesisht autonome të vendit, Republikën Srpska dhe Federatën Kroato-Boshnjake të Bosnje-Hercegovinës.
Një numër institucionesh shtetërore janë krijuar për të siguruar funksionimin normal të shtetit të Bosnje-Hercegovinës.
Megjithatë, Dodik po përgatitet të krijojë një ushtri të veçantë për Republikën Serpska, e cila në mënyrë efektive do të shpërbënte ushtrinë shtetërore në tërësi.
Ai po bojkoton gjithashtu institucionet shtetërore, përfshirë presidencën dhe parlamentin.
“Nëse ata ia dalin në këtë nismë, autoritetet e RS do të krijojnë një kuadër të ri kushtetues dhe ligjor duke hequr RS nga arkitektura e Dejtonit, veçanërisht nga rendi kushtetues i Bosnje-Hercegovinës, i cili është sinonim i shkëputjes’’, theksoi Schmidt.
“Kjo përbën një shkëputje pa shpallje’’, shtoi ai.
Ndërkohë, të mërkurën Këshilli i Sigurimit i OKB-së autorizoi njëzëri një zgjatje 12-mujore të misionit aktual.
Hapi erdhi pas një mosmarrëveshjeje mbi rolin e Schmidt si përfaqësues i lartë, me Rusinë që argumentoi se pozicioni nuk është më i nevojshëm dhe së fundmi bëri thirrje që ai të hiqet.
Duke kërcënuar me veton për shtrirjen e forcës stabilizuese shumëkombëshe të udhëhequr nga evropianët në Bosnje-Hercegovinë, Moska e pengoi Schmidtin të informonte Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën në bazë të raportit të tij./ /os/


















