TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Gjirokastra tashmë promovon vlerat e traditës në kulinari, por shërben edhe si qendër për degustimin e gatimeve karakteristike të vendeve të ndryshme.
Mbrëmjen e djeshme në qytetin e gurtë u organizua një aktivitet i veçantë, ku të pranishmit shijuan gatimet karakteristike të mjeshtrit të kulinarisë italiane, Sandro Serva.
Në aktivitet ishte i pranishëm ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, qytetarë, etj.
“Kemi organizuar këtë mbrëmje në Gjirokastër me një kuzhinier italian, e cila është pjesë e një iniciative italiane, që po zhvillohet në të gjithë Shqipërinë dhe është emërtuar “Vale”. Janë iniciativa që vlerësojnë ambientin, kulturën, jetën e përditshme dhe kuzhinën italiane, e cila bën bashkë kulturën, traditën. Shefi i kuzhinës që ne sot kemi këtu vjen nga familje që është marrë tërë jetën me restorante dhe kërkon të sjellë eksperiencën e tij duke shfrytëzuar prodhimet lokale. Është një lloj kuzhine që bazohet te territori, respekton e vlerëson gatimet lokale dhe prodhimet biologjike që respektojnë ambientin”, tha ambasadori Buzzi.
“Italia po promovon shumë aktivitete në Shqipëri e konkretisht në jug të vendit e sidomos në Gjirokastër. E dimë të gjithë që jugu dhe Gjirokastra në veçanti ka një zhvillim të jashtëzakonshëm turistik. Po kërkojmë ta zhvillojmë këtë turizëm cilësor. Turizmi lidhet me akomodimin, arkitekturën, vizitat e ndryshme, por edhe me kulturën dhe cilësinë e ushqimit. Në këtë kuadër agjencia jonë është duke financuar shume projekte dhe iniciativa sa i takon turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm’”, tha Bucci.
Kryebashkiaku Golemi tha se “aktivitete të tilla janë një mundësi e mirë për njohjen e traditave dhe kulturës italiane kryesisht nga të rinjtë”.
“Bashkia e Gjirokastrës dhe Ambasada italiane po vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh për konkretizimin e disa projekteve në fushën e trashëgimisë kulturore, arsimit, promovimin e vlerave të përbashkëta kulturore dhe zhvillimin e turizmit”, tha Golemi.
Golemi bëri të ditur se “së shpejti në Gjirokastër do të çelim edhe “Casa d’Italia” që do të shërbejë për njohjen e të rinjve me gjuhën dhe kulturën italiane”.
/k.s/j.p/r.e/























