Ballina Aktualitet

Nis “Shkolla e integrimit evropian”, plani A anëtarësimi në BE

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Ditën e sotme ka nisur online “Shkolla e Integrimit Evropian 2021” organizuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, delegacionin e Bashkimit Evropian dhe Fondacionin Friedrich Ebert.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar Evropian, Jorida Tabaku u shpreh se, “nuk ka forcë më të rëndësishme ndryshuese dhe transformuese më të fortë se procesi i integrimit. Është një nga proceset që ka angazhimin total të gjithë administratës publike. Ka vullnetin politik të të dy palëve politike, si rrallë herë ndodh në Shqipëri. Por ajo që është më e rëndësishmja është përfitimi në fund të ditës për qytetarët shqiptarë”.

“Është e vërtetë që ne diskutojmë për kritere, diskutojmë për kushte, diskutojmë shpesh herë për demokracinë, për zgjedhjet e lira, për krimin dhe korrupsionin, po kjo nuk është një listë dhe nuk ka pse të jetë një check-list. Në vetvete, procesi për t’i plotësuar këto kushte, është procesi i transformimit dhe i ndryshimit që do të na vendosë ne më afër standardeve të BE-së nga njëra anë, por nga ana tjetër do të përmirësojë dhe do të ndryshojë qeverinë shqiptare dhe qytetarët në fund të ditës”, tha Tabaku.

Tabaku u shpreh se procesi i aplikimit në këtë shkollë ka qenë një nga më të suksesshmit, teksa ka pasur 132 aplikime, dhe janë pranuar 32 persona.

Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Taulant Balla, theksoi se, “investimi që duhet të bëjmë në këtë fazë të procesit të integrimit, është investimi tek njerëzit që do të merren me përgatitjen e projekteve dhe me atë që quhet thithja ose absorbimi i fondeve komunitare”.

Dhe këtu, shtoi Balla, “natyrshëm shkolla, prej vitit të parë të saj është munduar të ndalet. Unë di që edhe gjatë këtij sesioni, gjatë këtij vitit të kësaj shkolle, do të ndalemi në mënyrën e formësimit të projekteve, në mënyrën e absorbimit të fondeve, që është një prej atyre problematikave që çdo vend, pasi anëtarësohet përballet”.

“Unë mbaj mend që në tre vitet e para, Rumania për shembull absorbonte më pak se gjysmën e asaj që akordonte si pjesë e detyrimit të të qenit anëtar të BE. dhe për shumë njerëz kjo shihej si një disfatë sepse thoshin, ne hymë këtu në këtë klub për të marrë më shumë investime dhe në fakt nuk po arrijmë të absorbojmë atë që jepnim. Ndërkohë që tani është e kundërta, por u desh kohë. Ndërsa vendi që në mendimin tim ishte modeli i shkëlqyer ishte Sllovenia, e cila filloi të përfitonte direkt që në vitin e parë”, tha Balla.

“Kështu që nisur nga këto eksperienca ne nuk ka asnjë dyshim që do të jemi në një moment të caktuar anëtar të BE-së, sepse jo vetëm për ne nuk ka zgjedhje tjetër, nuk ka plan B. Gjithmonë plani “A” i yni është anëtarësimi në BE. Natyrshëm brenda BE ka një sistem vendimmarrës paksa të vështirë, ose shumë të vështirë. Sesa kohë që çështje të politikës së jashtëm apo zgjerimit kërkojnë konsensus tërësor është e pamundur që procesi i integrimit të ecë përpara. Teksa BE po diskuton mënyrën e vetë të vendimmarrjes, unë besoj që të paktën për çështje të politikës së jashtme dhe çështje të zgjerimit nuk duhet të prevalojë konsensusi total, por duhet gjetur mënyra sesi të zhbllokohet. Sepse t’ju them të drejtën, unë po e them shumë troç, unë nuk kam ndonjë pritshmëri që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të zgjidhin brenda këtij viti debatin e tyre. Unë nuk pres që as vitin tjetër Bullgaria dhe Maqedonia e veriut të zgjidhin çështjen që ato kanë sot debat. Që do të thotë a duhet të mbetet Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut peng i kësaj çështjeje? Dhe nuk i dihet që vitin tjetër mund të dalë një tjetër vend që mund të shtrojë një çështje tjetër”, tha Balla.

Në këtë këndvështrim, theksoi Balla, “ne nuk duhet të humbim fokusin tërësor, i cili duhet të jetë në dobi të çuarjes përpara të këtyre reformave të rëndësishme. Ndër to natyrshëm, kryereforma, e cila na ka dhënë ne, Shqipërisë një avantazh, edhe me vende të cilat po negociojnë ndërkohë. Sepse nga historia e negocimit të marrëveshjes së anëtarësimit, kapitulli 23-24 mbeten kapitujt më të vështirë të secilit prej vendeve”.

“Ne kemi një avantazh që në këto dy kapituj dhe sigurisht dhe kapituj të tjerë e kemi bërë punën para përgatitore përpara se të hapen këto kapituj për negocim”, u shpreh Balla.

Ndërsa, kreu i delegacionit të BE në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca ka marrë pjesë online në ceremoninë e çeljes së Shkollës së Integrimit Evropian 2021

Ai tha se, “integrimi në Bashkimin Evropian është më shumë se një proces teknik, është një zgjedhje e një brezi apo brezave të tërë të bazuar të vlera thelbësore, të cilën Shqipëria duhet të përfaqësojë në formë aktive që nga që nga politike e jashtme dhe të brendshme”.

“Ajo që është e rëndësishme, në veçanti për Shqipërinë është se shumica dërrmuese në Shqipëri, më shumë se 80 % e popullsisë, e qytetarëve shqiptarë, mbeten mbështetëse të fortë të integrimit të Shqipërisë në BE”, theksoi Soreca.

“Ky është një avantazh shumë i madh në veçanti, ndërkohe që Shqipëria ecën në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe tashmë që ne angazhohemi në negociata e anëtarësimit evropian”, tha Soreca.

“Përpara dy javësh, pikërisht në këtë Këshillë Kombëtar të Integrimit Evropian prezantova Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Besoj se më këtë raport ne kemi themelet kryesore të asaj që ka arritur Shqipëria por dhe të asaj që duhet të arrijë në të ardhmen”, shtoi Soreca.

Ai nënvizoi se, “rekomandimet që jepen në raport, që identifikojnë edhe fusha, për të cilat duhet të ketë më shumë punë, janë në fakt në një udhërrëfyes jo vetëm për qeverinë, por të gjitha institucionet që të fokusohen tek këto fusha. Gjatë javëve në vijim ne presim udhëheqje në mënyrë që puna të vijojë”.

“Si shtet që dëshiron të bëhet vend anëtar i BE, Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet e saj, të ketë atë shndërrim socio-ekonomik që i duhet vendit dhe të bëhen bashkë të gjithë aktorët, nga pjesë të ndryshme të politikës në Shqipëri, nga të gjithë segmentet e shoqërisë dhe kjo është vlera e shtuar që sjell Këshilli Kombëtar. Jam i bindur që kjo shkollë mund të luajë një rol të rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin për këtë proces kaq unik dhe sfidues për hapat që çojnë drejt anëtarësimit në BE”, tha Soreca.

Shkolla e Integrimit Evropian 2021 do të ofrojë përgjatë 2 javëve, një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet dhe sfidat më të fundit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit si dhe rëndësinë e gjithë përfshirjes në suksesin e procesit të anëtarësimit në BE.

Shkolla e Integrimit Evropian 2021 online, do të mundësojë diskutimin e bashkëbisedimin me ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak36 mijë mësues të ciklit parauniversitar, rritje me 6% të pagës
Artikulli tjetërVetingu, KPK seancë dëgjimore me prokurorin Endrit Bimi