Ballina Aktualitet

Meta: Komuniteti arbëresh, urë e fortë lidhëse mes dy vendeve

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e Komunës arbëreshe të Montecilfone, Rajoni i Molises, Giorgio Manes dhe delegacionin, që e shoqëronte.

“Përherë i lumtur të mirëpres përfaqësues të komunitetit shumë të dashur arbëresh, urë e fortë dhe shekullore lidhëse e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera me popullin dhe Italinë mike”, tha Meta, ndërsa ndau foto nga ky takim.

Presidenti u njoh me përpjekjet e Manes për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, që meritojnë të promovohen dhe trashëgohen brez pas brezi.

Meta i shprehu të gjithë mbështetjen për vizionin e tij për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë shqiptare, në realizimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike.

“Përjetë mirënjohës komunitetit arbëresh, që mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminë europiane dhe botërore. E falenderova Kryetarin Manes për dhuratën e veçantë që më solli, një shall të tifozëve kuqezinj arbëresh të Piana degli Albanesi”, tha Meta.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMV – Zhvillohet raundi i dytë për zgjedhjet lokale
Artikulli tjetërROMË – G20 në përpjekjet e fundit për arritjen e marrëveshjes për klimën