Ballina Ekonomi

Bie stoku i detyrimeve të prapambetura të bashkive

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit qershor 2021, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme është rreth 6.6 miliard lekë.

Sipas relacionit të p/buxhetit për vitin 2022, stoku i detyrimeve të prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore në fund të 6-mujorit të parë të vitit është ulur me rreth 0.3 miliard lekë, krahasuar me fundin e tremujorit të parë të vitit 2021, që ishte rreth 6.9 miliardë lekë dhe me rreth 0.5 miliardë lekë krahasuar me stokun e detyrimit në fund të vitit 2020, që ishte rreth 7.1 miliardë lekë.

Në kuadër të forcimit të disiplinës financiare për të parandaluar krijimin e detyrimeve të prapambetura, qeveria po i kushton një fokus të posaçëm shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore është duke zbatuar një plan veprimi për shlyerjen e detyrimeve.

“Në vitin 2022 do të vazhdojë të monitorohet periodikisht zbatimi i planit të shlyerjes së detyrimeve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, deri në shlyerjen e plotë të tyre”, bën të ditur MFE. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Merkel në vizitë simbolike
Artikulli tjetërKlevis Xhoxhi, sekretar i komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit