TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet mësimore, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi sot një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale.
Ata u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar.
“Para pak vitesh ne kemi realizuar një reformë të thellë, duke u dhënë mundësi nxënësve tanë që të mësojnë me tekste më cilësore, por puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor”, tha Kushi.
Ministrja theksoi se në takim u diskutua gjerësisht edhe në lidhje me zhvillimin profesional të mësuesve, trajnimet e tyre të vazhdueshme, shkëmbimin e përvojave pozitive, si dhe informimin në kohë për risitë në fushën e mësimdhënies.
/m.m/j.p/























