Ngjyrat e vjeshtës ‘përflakin’ Parkun Kombëtar të Llogorasë

TIRANË 31 tetor /ATSH-I.Vata/ Parku Kombëtar i Llogorasë është një nga pikat më të preferuara dhe të pëlqyera nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Në këtë stinë ky park bëhet edhe më i bukur, pasi ngjyrat e ngrohta të vjeshtës flakërojnë peizazhin duke u ndërthurur me blunë, atë të detit dhe të qiellit.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë ka postuar sot foto të vjeshtës në Parkun Kombëtar të Llogorasë.

“Mos e humbisni larmishmërinë e ngjyrave që ofron Parku Kombëtar i Llogorasë gjatë stinës së vjeshtës. Frymëzim dhe kënaqësi shpirtërore”, thuhet në njoftim.

Parku i Llogorasë gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Afër Qafës së Llogorasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve.

Një lloj mjaft i veçantë është Pisha Flamur, e cila gjendet në Parkun Kombëtar të Llogorasë, pak më në veri të qafës me të njëjtin emër, 910 m mbi nivelin e detit. Ka formën e flamurit, si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Druri ka lartësi rreth 20 m, diametër të trungut 75 cm dhe moshë rreth 100 vjet.

Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë.

Në brendësi të parkut për të apasionuarit pas ekoturizmit ka shumë shtigje. Ka një florë dhe faunë mjaft të pasur me rreth 105 lloje zogjsh, kafshësh të tjera si dhelpra, macja e egër, dreri etj.

Ky park ka vlera klimaterike dhe kjo falë kombinimit mjaft të mirë të ajrit të freskët malor me atë detar. Ai konsiderohet si një prej destinacioneve turistike më të rëndësishëm. Ofron mundësi për ekoturizëm, sportet e ajrit, ekskursione etj. Mbulohet nga një pyll i dendur pishe e bredhi, por gjendet me shumicë dhe druri i bushit. Me sipërfaqen e saj prej 1020 ha, është e mbuluar me gjelbërim të përhershëm. Konsiderohet si një vend klasik i vendosjes së ekuilibrit biologjik midis botës bimore dhe asaj shtazore.

Ruajtja, administrimi, menaxhimi dhe përdorimi i qëndrueshëm i Parkut Kombëtar i Llogorasë dhe të burimeve natyrore e biologjike të tij janë të mbrojtura me ligj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.