Ballina Aktualitet

Komisioni Hetimor për zgjedhjet, debate për rendin e ditës

TIRANË 27 tetor /ATSH-I.Vata/ Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit 2021 ka nisur sot mbledhjen e radhës me kundërshti mes palëve.

Pas debateve dhe mosrënies dakord mes palëve anëtarët e PS-së janë larguar nga mbledhja e Komisionit Hetimor, ndërsa PD vazhdon mbledhjen me mungesën e anëtarëve të mazhorancës.

Kryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj tha se, “në përfundim të asaj mbledhje që përfundoi për fat të keq në mungesë të forumit kam shpërndarë rendin e ditës sipas këtyre pikave. Administrimi i kërkesave të anëtarëve të komisionit për marrje provash dhe të dhënash për çështje të parashikuar në planin paraprak të hetimit. Dhe zgjedhja e sekretarit të komisionit”.

Nënkryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prilli, Toni Gogu tha se më 14 tetor Kuvendi na delegoi pushtetin të hetojmë përdorimin e burimeve administratës shtetërore për qëllime elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

“Kanë kaluar 12 ditë dhe fatkeqësisht vendimi i Kuvendit nuk po gjen zbatim. E nisët veprimtarinë e këtij komisioni me shkelje flagrante, edhe sot vazhdoni. Nisët duke mos hedhur në votim rendin e ditës, gjë që vazhdoni ta bëni dhe sot. E përshkallëzuat duke refuzuar për të zgjedhur nga radhët e anëtarëve sekretarin e komisionit. Dhe kulmuat duke hartuar një rregullore sipas mendjes tuaj dhe jo sipas vullnetit të këtij Komisioni. Kërkesat tona për të hedhur në votim rendin e ditës për zgjedhjen e sekretarit dhe hartimin dhe miratimin e rregullores, tashmë janë mbuluar nga shkelje nga ana juaj zoti Kryetar. Për të arritur në mbledhjen e fundit ku ne, shumicës na u mohua e drejta e votës në Komisionin ku do të hetojmë se si qytetarët e kanë ushtruar këtë të drejtë. Sot përsërisim kërkesën tonë që t’i ktheheni logjikës së ligjit, zoti Kryetar, mblidhni veten dhe vini rregull, sepse nuk mund të na pengoni të ushtrojmë të drejtën e votimit të rendit të ditës siç na e përcakton neni 38 i Rregullores së Kuvendit. Ky komision nën drejtimin tuaj ka detyrimin të administrojë siç duhet zbatimin e objektivit që na ka caktuar Kuvendi. Nuk mund të na pengoni të ushtrojmë të drejtën e zgjedhjes së sekretarit të këtij Komisioni, siç e përcakton neni 10 për komisionet hetimore, sepse vetëm kështu ky komision mund t’i japë zgjidhje. Nuk mund të na pengoni të garantojmë rregulloren e brendshme, pasi kemi propozuar amendamentet dhe ky komision ka nevojë që të hartojë dhe të votojë me votim rregullat e brendshme të komisionit”, tha Gogu.

Gogu, theksoi se “kërkesa për procedurë është hedhja në votim e rendit të ditës, brenda rendit të ditës të jetë zgjedhja e sekretarit dhe të hartojmë dhe të miratojmë rregulloren e brendshme të këtij komisioni”.

Nga ana e tij, për procedurë, Gazment Bardhi tha se, “kërkesa e bërë nga kolegu është një kërkesë e përsëritur. Rendi i ditës caktohet nga kryetari, nëse anëtarët kanë çështje për të shtuar në rendin e ditës ia propozojnë kryetarit, por nuk votohet nga komisioni rendi i ditës”.

“Për sa i përket rregullores ka një draft të propozuar nga kryetari, nisëm shqyrtimin mbledhjen e shkuar, kaluam fazën e miratimit në parim. Pra drafti i propozuar nga kryetari ka marrë votë unanime të miratimit në parim. Kemi kaluar shqyrtimin nen për nen, është kaluar deri në nenin 17, sigurisht sipas edhe rendit të ditës do vazhdojmë shqyrtimin nen për nen aty ku kolegët e mazhorancës u larguan”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj tha se me ndryshimin e rendit të ditës të propozuar nga Gogu dhe Bardhi që zgjedhja e sekretarit të komisionit të kalojë si pikë e parë e rendit të ditës dhe të shtohet në rendin e ditës vazhdimi i shqyrtimit dhe të miratimit të rregullores së brendshme të komisionit dhe pikë e dytë është kërkesa për të vazhduar hetimin, kërkesa e deputetëve për të mbledhur të dhëna.

Alibeaj propozoi që rendi i ditës të vazhdonte së pari, me emërimin e sekretarit të komisionit; së dyti, me administrimin e kërkesës së anëtarëve për marrjen e provave dhe së treti, me çështjen e rregullores.

Anëtari i Komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Petro Koçi e konsideroi debatin e kryetarit të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj me punonjësit e administratës së Kuvendit si një model i një grushti të vockël shteti.

Koçi deklaroi se Alibeaj e shpalli komisionin dhe sallën pronë private.

“Alibeaj shpall Komisionin dhe sallën e mbledhjeve pronë private. Model i një grushti të vockël shteti. Nga kryetarparlamentar vetëshpallet komisar PD-ist ushtrie”, u shpreh Koçi.

Reagimi i deputetit të PS-së, Petro Koçi erdhi pasi u larguan deputetët socialistë nga mbledhja për mosrënien dakord për rendin e ditës.

Pas hedhjes në votim të këtyre propozimeve nuk u miratua kërkesa e palëve.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID 19 – Van der Bellen hap pallatin presidencial austriak për nxitjen e vaksinimit
Artikulli tjetërFakulteti i Historisë dhe Filologjisë, 265 kuota të lira