Ballina Aktualitet

Spiropali: Progresraporti flet për proces të rregullt zgjedhor


TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali  duke folur sot në Kuvend u shpreh se, sipas progresraportit të KE, “Shqipëria, ka vijuar të tregojë angazhimin e saj dhe ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura në konkluzionet e Këshillit të marsit 2020 për konferencën e parë ndërqeveritare”.

“Shqipëria nuk është në garë as me Zambian, as me Ganën, as me Gjermaninë si në kohën tuaj të ndritur, por patjetër është në garë me rajonin. Është në garë për të plotësuar detyrat për Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në dhe për integrimin e plotë. Raporti i KE e thotë shqip se Shqipëria, ka vijuar të tregojë angazhimin e saj dhe ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura në konkluzionet e Këshillit të marsit 2020 për Konferencën e Parë Ndërqeveritare”, u shpreh Spiropali.

“Që nga 2013-a e deri më sot Shqipëria ka vijuar të përmbushë të gjitha kushtet për çeljen e negociatave dhe për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, duke filluar nga reforma në drejtësi. Një drejtësi që ju e latë të zhytur kokë e këmbë në kthetrat e politikës me pandëshkueshmëri të njohur. Ku ju e të tjerë i keni shpëtuar kësaj drejtësie me procedurë, pa u hetuar asnjëherë, për rrugë e për ura, e të tjera për të cilat flisni këtu. Mirë është të shkoni të jepni llogari pa procedurë për këto çështje më pas të vini këtu të flisni për korrupsionin. Do të ishte më e ndershme”, tha Spiropali duke iu drejtuar kreut të PD-së.

Por, shtoi Spiropali, “pikërisht që funksionarë të lartë, nga i pari tek i fundit të mos i shpëtojnë drejtësisë pa procedura, ne kemi bërë këtë reformë që njihet sot nga raporti më i detajuar dhe më i imtësishëm që ekziston për progresin që bën vend, raporti i KE”, tha Spiropali.

“Dhe në të gjithë këtë raport nuk flitet për masakër zgjedhore, flitet për një proces të rregullt zgjedhor, për zgjedhjet më të mira që janë bërë në Shqipëri, ku Shqipëria vlerësohet për reformën elektorale dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, tha ajo.

“Në këtë raport konkretisht flitet për luftë, për progres të qenësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe kultivimit të drogës. Pra edhe në këtë pikë Shqipëria ka bërë progres dhe i ka bërë detyrat”, nënvizoi Spiropali.

“Është e paimagjinueshme që lideri i opozitës sado në hall të jetë në partinë e tij, për arsye të tij, apo të të tjerëve të dalën në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë dhe t’i drejtohet partnerëve tanë duke i thënë që Shqipëria nuk e meriton të jetë në BE. Këtë nuk e bën askush në asnjë vend, as në Zambia, as në Gana. Nuk ndodh kjo. Keqardhje e madhe që problemet tuaja të brendshme reflektohen së jashtmi në diskutimin tuaj, po dhe në të gjithë qasjen opozitare”, tha Spiropali. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkëpunim konkret në turizëm, Kumbaro takon zv.ministrin grek
Artikulli tjetërBM – Londra zgjeron rritjen e taksave rrugore për automjetet më ndotëse