TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Të gjithë aplikantët që duan të rinovojnë patentën e klasit B me kufizim afati vlefshmërie nga mosha apo specifikat shëndetësore, në vetëm 2, 3 ose 5 vjet do të përfitojnë ulje drastike të tarifës nga muaji nëntor.
Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila thekson se “performanca pozitive e kompanisë, rendimenti e miradministrimi ka rritur qarkullimin duke përmirësuar normën e kthimit dhe të ardhurat”.
“Si shërbim publik, DPSHTRR ka prioritet qytetarin dhe uljen e kostove për kategoritë sociale që rëndohen nga tarifat. Rreth 30 mijë aplikantë në vit rinovojnë lejedrejtimin (B) me kufizim afati vlefshmërie nga mosha apo specifikat shëndetësore, në vetëm 2, 3 ose 5 vjet afat. Nga nëntori 2021 këta aplikantë do të përfitojnë ulje drastike të tarifës nga 3,500 lekë në 2,000 lekë”, thekson DPSHTRR.
DPSHTRR shprehet se “të gjitha rinovimet e lejedrejtimeve të klasit B, me afat të kufizuar 3 ose 5-vjeçar, si edhe ato me kufizim për shkaqe shëndetësore do të kushtojnë -43 %”.
/k.s/a.a/r.e/























