Vepra e Migjenit dhe e Agollit do vlerësohen e çmohen gjithmonë

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ “Migjeni dhe Dritëroi – dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja”, titullohej konferenca e organizuar sot nga Akademia e Shkencave, në kuadër të 110-vjetorit të lindjes së poetit Migjeni dhe 90-vjetorit të lindjes së poetit Dritëro Agollit.

Në fjalën e tij kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi tha se “Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin të dy poetë me vështrim nga e ardhmja, poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960”.

“Dritëroi ishte e mbetet një prej figurave emblematike të letrave e te Akademise se shkencave. Ai është një ndër vlerësuesit e mbrojtësit e Akademisë e te akademizmit në Shqipëri edhe në ditë të vështira dhe është në nderin tonë të kujtojmë e vlerësojmë figurën e veprën e tij”, – tha Gjinushi.

Nuk është rastësi, vijoi Gjinushi, që dy kolosët tanë të letërsisë Kadare e Agolli u morën me Migjenin, duke e cilësuar atë si një meteor që shkëlqeu në kalim e sipër apo si një uragan që u ndërpre, cilësime të cilat shkojnë po aq për vetë ata, por që fatmirësisht për letrat shqipe shkëlqimi e uragani krijues i tyre qëlloi jetëgjatë.

Gjinushi tha se Dritëroi ka shkruar pa ndërprerje për mbi 60 vjet radhazi.

“Ai, së bashku me Ismail Kadarenë, donte një letërsi të re, të një shekulli të ri dhe e realizoi atë. Ky veteran i veprimit kombëtar e qytetar u bë shumë shpejt protagonisti i ndryshimit të rrjedhës dhe të fatit të letërsisë shqipe. Bashkë me homologet e tij ai do të bëhej shpëtimtar i nderit të letërsisë shqipe në një prej periudhave më kritike të saj. Brezat që kanë jetuar në një kohë me shkrimtarin Dritëro Agolli; bashkëkohësit e tij, do të mbahen mend si breza me fat. Dritëro Agolli është shkrimtar emancipues i poezisë shqipe në shqetësime dhe në teknika. Para gjashtë dekadash shkruante: Traditë po, por jo shtampë, dhe i qëndroi besnik sloganit që propozoi vetë. Një prej kryevlerave të veprës së tij është se, e shtrirë në dy kohë, të përkundërta ideologjikisht me njëra-tjetrën, ajo ruan njëjtësinë e saj, si vepër humaniste, pa asnjë kontradiktë të brendshme dhe pa asnjë kundërthënie mes vedi”, – nënvizoi Gjinushi.

Sipas tij, Dritëro Agolli ishte dhe do të mbetet një figurë konvergjente për shoqërinë shqiptare.

Më tej Gjinushi vuri në dukje se “përqasjen që duhet të kemi ndaj veprave e figurave të tilla si Migjeni e Agolli na e ka treguar vetë Dritëroi si studius. Në to, ashtu si në dy studimet e tij për Migjenin, ai dëshmon se si studiuesit profesionistë e opinioni i shëndoshë, dinë të vlerësojnë veprat dhe autorët e tyre nga vlerat që mbartin si të tilla, të pandikuar nga diferencat a indoktrinimet politike. Dhe për ta, për opinionin e gjerë e atë intelektual vepra e Migjenit e ajo e Agollit do të vlerësohen e çmohen gjithmonë”.

“Nderimi ynë sot iu drejtohet atyre, iu drejtohet lartësive të dy brezave, prej të cilëve letërsia shqipe ka marrë e do të marrë frymëzim e ndriçim. Dikur Agolli ka thënë se Akademia e Shkencave është pasuri kombëtare, të tillë do të mbeten edhe këto dy figura të letrave shqipe Migjeni e Agolli”, tha Gjinushi.

“Fletorka e mesnatës”, një dorëshkrim i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave

Një dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i është dhuruar sot Akademisë së Shkencave nga e bija e shkrimtarit Elona Agolli gjatë zhvillimit të konferencës shkencore: Migjeni dhe Dritëroi – dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja.

I titulluar nga shkrimtari “Fletorka e mesnatës” ky dorëshkrim iu dorëzua kryetarit të Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushit nga vajza e shkrimtarit, e cila u shpreh se nuk e pati të lehtë ta hiqte nga shtëpia këtë kujtim të vyer.

Për gjestin dhe motivin e kësaj dhurate, Elona Agolli tha se “ndjehem mjaft e nderuar që në këtë pod të  shenjtë të mendjeve dhe shpirtrave iluminues të Akademikëve tanë të nderuar, të dorëzoj e dhuroj një Fletore të dorëshkruar, me poezi të dorëshkruara nga Dritëroi”.

“E mendoj që ky dorëshkrim do të përbëjë një vlerë në arkivin e dokumenteve, apo çdo materiali tjetër studimor të Akademisë së Shkencave. Nuk e kisha të lehtë të merrja këtë vendim, pasi këto fletore e blloqe të bukurshkruara nga babai im, për mua kanë shumë kuptime e kujtime, krijojnë përjetime e ndjesi të shumta. Aty ndiej bojën e shkrimit dhe gishtërinjtë e  ngjyrosur të babit me bojën blu Pelikan, në fletët e blloqeve ndjej erën e duhanit dhe nikotinës, e cila siç thoshte babi, ia ngjyroste gishtërinjtë posi ajo vjeshta që ngjyros fletët e pemëve me ngjyrën e verdhë. Ndjej përpëlitje e zjarrmi të shpirtit kur përfshihej nga muza poetike, ndjej orët e pagjuma, gëzim e trishtim, dashuri të paplotësuar e të padhënë, forcë e dobësi. Duke dorëzuar këtë dorëshkrim, përjetoj ndjesinë e përcjelljes së një copëze shpirti, transferimit të tij në një shtëpi të re, në shtëpinë ku babai im ka kontributin e tij si atdhetar e patriot, si iluminist dhe mendjendritur, në tempullin, të cilin ai e vlerësonte më shumë se gjithçka, në Akademinë e Shkencave”, u shpreh ajo.

Botimi shqip i tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni”, botuar ekskluzivisht nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 90-vjetorit të Dritëro Agollit dhe 110-vjetorit të Migjenit, u paraqit në Konferencën shkencore “Migjeni dhe Dritëroi – dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja”.

Gjatë prezantimit nga akademiku Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave, tha se “pesë vjet më parë autori, poeti ynë, akademiku ynë, na dha pëlqimin për ta përkthyer për qëllime shkencore tezën e tij të diplomës, mbrojtur në Universitetin e Petersburgut, me rezultatin “shkëlqyeshëm”, me një oponente – çfarë oponentje – më të zonjën e albanologjisë ruse Desnickaja. Titullohet “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni” dhe ja ku është. Botimi u përgatit nga kolegu Shaban Sinani dhe ka një parathënie sintetike të kryetarit tonë prof. Gjinushi. Një parathënie ku argumentohet se Dritëroi e zgjodhi Migjenin sepse shihte vetveten në poetikën e tij.

Po pse e botojmë sot? Jo për t’i bërë nder autorit apo subjektit, sido që dhe ky do të kishte rëndësinë e një argumenti.
Para së gjithash sepse kjo tezë diplome, duke hyrë në qarkullim në bibliotekat tona albanologjike, do të nxisë shqyrtime të reja, sepse idetë e saj jo vetëm nuk janë vjetëruar, por përmbajnë të pathëna me rëndësi si për Migjenin, ashtu dhe për Agollin vetë. Ky punim, nga pikëpamja kronologjike, është i pari me karakter monografik. Agolli e kaloi stadin e studimeve migjeniane nga niveli i parathënieve dhe recensioneve në atë të kërkimit shkencor. Përcaktimet që i bër Agolli veprës dhe personalitetit të Migjenit si shkrimtar revolucionar i realizmit kritik, duke pasur parasysh se më vonë ai u quajt pararendës i realizmit socialist, madje edhe poet i “botës së re”, janë me një vlerë referenciale për të ndrequr çfarë u shkrua keq me zell ideologjik më vonë në historitë e letërsisë, duke e quajtur madje themelues të realizmit socialist”, theksoi Tole.
Ai shtoi se “shkruar në një periudhë ideologjikisht liberale, në një metropol europian si Shën Petersburgu, teza e Dritëro Agollit nuk i njohu tabutë e mëvonshme, krahasimet ideore me “reaksionarët” emërndaluar Niçe e Dostojevski.
“Sikur vetëm këto tri vlera t’i njohim tezës së diplomës së Dritëroit, shfaqur kronologjikisht në botën e letrave me një vepër të plotë serioze para sfidës së poezisë, mjaftojnë për ta bërë nismën tonë për botimin e saj një nismë akademike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Prandaj, mirë se erdhe, Migjeni i Dritëroit. Qëndroni mirë e bukur krah njëri-tjetrit”, përfundoi akademiku Tole.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.