Kuadër i mirë ligjor për mbrojtjen e fëmijëve

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro deklaroi sot se “e drejta për të shprehur lirshëm opinionet, sidomos ato të fëmijëve thekson edhe një herë rëndësinë se sa e rëndësishme është të mbrojmë të drejtat e njeriut”.

Në fjalën e saj në konferencën ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, të zhvilluar sot në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, Ribeiro theksoi se, “shpesh këto të drejta dhe këto probleme janë shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën”.

Duke përgëzuar AMA-n për organizimin e konferencës Ribeiro tha se “sapo kam përfunduar konferencën mediatike për Evropën Juglindore, e cila u mirëprit këtë vit në Tiranë. Kjo konferencë për gazetarinë në këtë kohë krizash shërben për të shpjeguar se sa e rëndësishme është gazetaria për publikun dhe si një shtyllë kryesore e shoqërisë tonë demokratike, në këtë konferencë u dhanë mundësi shumë të rëndësishme për të folur për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në rajon”.

Ribeiro u shpreh se “besoj se edhe në këtë rajon situata nuk është aspak e ndryshme se të gjitha kushtet e gazetarisë në të gjithë globin, kjo na bën që ti rikujtojmë edhe një herë për nevojën për të vijuar një dialog sa më të mirë dhe një bashkëpunim sa më të mirë në nivel ndërkombëtar dhe ndërkufitar dhe në nivel ekspertize”.

Më tej Riberio tha se “jam e lumtur që ndodhem në Shqipëri për të vijuar dialogun me autoritetet, parlamentin dhe aktorë të tjerë për të identifikuar se si mund të bashkëpunojmë më mirë në mënyrë që të hasemi me sfida për të përmirësuar mjedisin e lirisë së medias për fëmijët”.

“OSBE është një aktore kryesore për sigurinë dhe kjo ka të bëjë me sigurinë e mjedisit tonë e rajonit tonë ekonomisë tonë, dhe të të drejtave të njeriut. Askush nuk mund të bashkëjetojë pa tjetrin dhe për këtë ne kemi nevojë për një qasje më të mirë për të trajtuar sfidat për mbrojtjen e fëmijëve për të respektuar plotësisht të drejtat dhe liritë e shprehjes dhe opinionit. Sigurisht që ka probleme, gjëra të vështira me të cilat duhet të hasemi me pjesën rregullatore dhe pikërisht ky është fokusi i konferencës së sotme”, – nënvizoi Riberio.

Sipas saj, shumë pak njerëz besojnë se interneti është thjesht një instrument për të rritur, por kjo nuk mundet të ndryshojë aspak nga e vërteta.

Përfaqësuesja e OSBE-së, sot ne ndodhemi në një botë plot rrjetëzim dhe të rriturit shpenzojnë shumicën e kohës online. Ne e dimë shumë mirë që ata mund të përballen me rreziqe shumë të mëdha si bullizmi dhe ekspozimi në përmbajtje të rrezikshme e të dëmshme dhe ne ndjejmë nevojën ti mbrojmë ata nga e gjithë kjo. Fëmijët kanë të drejtën të marrin informacionet e duhura pavarësisht kufijve dhe të shprehin veten e tyre lirshëm dhe kjo do të thotë që ata i duhet të përballen me të drejtën e tyre me lirinë e shprehjes”.

Marshall: Na duhet një kuadër i mirë ligjor për mbrojtjen e fëmijëve

Drejtori i përgjithshëm i PA Media Group në Mbretërinë e Bashkuar, Clive Marshall i pranishëm në konferencën “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive” të zhvilluar sot në Tiranë, theksoi “na duhet një kuadër i mirë ligjor për të parashikuar të gjitha rregullat, dispozitat dhe sanksionet në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve”.

Në fjalën e tij Marshall tha se “kontrolli prindëror mundet të ketë akses në programe, në mënyrë që të vëzhgojë se çfarë shohin fëmijët, të filtrojë përmbajtjen e atyre që mund të aksesojnë fëmijët”.

“Është detyra jonë si prindër për të kuptuar se çfarë bëjnë fëmijët për të vendosur barriera, në mënyrë që të kenë një akses sa më të kontrolluar në përmbajtjen e internetit”, tha Marshall.

Më tej ai u shpreh se “nëse mendojmë për mbulimin në medias në Mbretërinë e Bashkuar do të ishte për shembull shfaqjen e videove dhe aktet rregullatore që rregullojnë shfaqjen në media. Disa nga rregullat janë të ngjashme duhet të shfaqin përmbajtje, të cilat të jenë etike dhe të kenë një përmbajtje që nuk kërcënojnë të rinjtë apo fëmijët. Vetëm nëse është dhënë një leje e veçantë dhe të dëshmohet me titra që fëmijët nuk duhet ti shikojnë këto përmbajtje videosh”.

Furnémont: Masa të përshtatshme për të mbrojtur të miturit

Themeluesi dhe drejtor i Wagner-Hatfield (Belgium) Jean-François Furnémont në fjalën e tij në konferencën “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive” të zhvilluar në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audioviziuale, theksoi nevojën e marrjes së masave të për të mbrojtur të miturit.

“Ne e dimë të gjithë që balancimi i nevojës për të mbrojtur audiencën me detyrën për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë e fjalës ka qenë një nga parimet themelore të rregullatorëve të mediave dhe veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të miturve. Shqetësimi ka qenë prezent në të gjithë mjedisin e medias me të gjitha masat rregullatore dhe të mbrojtjes dhe tashmë është rritur kjo panoramë e medias me të gjithë mediat sociale dhe daljen e platformave të reja dixhitale, me të gjitha këto ndryshime radikale, mënyrat e reja sesi fëmijët mund të ekspozohen ndaj përmbajtjeve potencialisht të rrezikshme dhe llojet e reja të rreziqeve potenciale”, – nënvizoi Furnémont.

Ai u shpreh se “ka dy ndryshme që janë prezantuar nga kjo direktivë e BE-së, është përafrimi i standardit të mbrojtjes për të gjithë linjën e mediave audiovizuale, lineare dhe jolineare dhe e dyta mbrojtja e të miturve nga paltformat dixhitale”.

“Rishikimi i kësaj direktive me amendimet e shtrin objektin e funksionimit të kësaj rregulloreje në praktikë. Për shembull duhet të merren masa të përshtatshme për të mbrojtur të miturit nga programe, video dhe komunikime tregtare të cilat mund të cenojnë zhvillimin mendor fizik dhe emocional. Të gjitha masat duhet të impelmentohen nga të gjithë organet rregullatore”, – tha Furnémont.

Linz: Klasifikojmë të gjitha përmbajtjet që shfaqen në media dhe internet

Drejtori ekzekutiv i KSF në Gjermani, Stefan Linz, gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, të zhvilluar në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audioviziuale, u fokusua në kuadrin ligjor me të cilin punohet në Gjermani dhe mënyrën praktike sesi klasifikohet përmbajtja audiovizuale.

“Në Gjermani kemi një autoritet vetëkontrollues të filmave. Për momentin po klasifikojmë 11 mijë përmbajtje audiovizuale në vit nga filmat, trailerat, videot e shkurtra, të gjitha që publikohen. Të gjitha përmbajtjet që publikohen në media dhe përmbajtja që shfaqet në internet, klasifikohen gjithnjë e më shumë. Çfarë publikohet në kanalet televizive, në Amazon dhenë të gjitha studiot që prodhojnë, dorëzojnë përmbajtjen për klasifikim nga ana jonë”, u shpreh Linz.

Sa i përket kuadrit ligjor, Linz theksoi se, “mbrojtja e të rinjve është një akt balance mes të drejtave themelore të njeriut, të drejtës për shprehje dhe të drejtës për informacion, e cila aplikohet dhe për fëmijët gjithashtu. Dhe nga an tjetër e drejta e minorenëve dhe fëmijëve që të rriten të mbrojtur nga përmbajtja e rrezikshme që ka media”.

“Ka një klasifikim për çdo grupmoshë për të balancuar të gjitha këto të drejta themelore, të cilat duket sikur do të bien në konflikt”, tha Linz.

Ai u shpreh se, “vetëm të rriturit, të cilët janë verifikuar për moshën e tyre mund të aksesojnë në këto përmbajtje”.

“Ka kanale të cilët paguhen. Për shembull nëse të rriturit i kalojnë të gjitha këto faza për të verifikuar dhe validuar, nganjëherë ndodh që vetëm klikojnë që janë mbi 18 vjeç, por këto nuk janë të mjaftueshme. Këto përmbajtje, të cilat janë të rrezikshme shpërndahen në një mënyrë që fëmijët dhe të vegjlit të mos kenë fare dijeni që ekzistojnë dhe reklamimi i kësaj përmbajtje është i ndaluar”, u shpreh Linz.

Ai theksoi se, “tashmë mënyra me të cilën po punojmë është modeli vetrregullator dhe modeli rregullator. Të dyja këto modele bashkëpunojnë dhe bashkekzistojnë me njëra-tjetrën”.

“Kemi zhvilluar një mekanizëm klasifikimi, i cili përdoret nga përdoruesit e trajnuar. Kur ti sheh një përmbajtje të shfaqet një ndërfaqe që regjistrohesh. Shtyp butona të ndryshëm që shfaqen në ekran për të parë fushat e rëndësisë në mënyrë që të rriten masat e sigurisë për mbrojtjen e përdoruesve”, tha Linz.

Ai nënvizoi se, “faktorët e rrezikut janë dhuna, kërcënimi, vuajtja, seksualiteti, përdorimi dhe abuzimi me lëndët narkotike. Të gjitha këto faktorë përbëjnë një set, të cilat janë të integruara në çdo klasifikimi tonin dhe ky sistem është shumë efektiv sepse për 13 sekonda bën vlerësimin dhe për 3 minuta e vlerëson klasifikimin e përmbajtjes që do të transmetohet në media. Është më i shpejtë se modeli që kemi përdorur më parë”.

Lani: Edukimi për medien duhet të jetë pjesë e sistemit tonë edukativ

Remzi Lani, drejtor ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Medias, gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, tha se, në kurrikulat e shkollës tonë ekziston edukimi qytetar, ekziston edukimi për teknologjitë e informacionit, ekziston zhvillimi i mendimit kritik”.

“Të gjitha janë pozitive, por gjithësesi të pamjaftueshme. Edukimi për medien dhe informacioni duhet të jetë pjesë e sistemit tonë edukativ si në shumë vende të tjera”, u shpreh ai.

“Edukimi për medien dhe informacioni duhet të jetë pjesë e sistemit tonë shkollor. Kjo kërkon një qasje strategjike. Kërkon edhe një angazhim shumëplanësh, ndërdisiplinor dhe ndër institucional”, tha Lani.

“Aktualisht Shqipëria është në procesin e përshtatjes së kurrikulës së UNESCO-s, çka është dhe një direktivë e BE-së që vendet anëtare dhe kandidate të përshtasin dhe të aplikojnë kurrikulën e UNESCO-s në edukimin për medie dhe po e piloton, duke filluar nga ky muaj, në 20 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, për ta futur pastaj në të gjithë sistemin shkollor”, u shpreh Lani.

Kjo, theksoi ai, “është shumë e rëndësishme pasi fëmijët shqiptarë, si ato austriakë, si ato italianë, duhet t’i marrin këto njohuri në shkollë. Modelet janë të ndryshme ka vende që e bëjnë si lëndë të veçantë, ka vende që e bëjnë si kurs kurrikular, qasje transversale, të kombinuara. Ne kemi gjetur një qasje të kombinuar që mendojmë se i shkon ambientit tonë”.

“Nivelet me të cilat punohet janë tre. Niveli operacional, promovimi dhe ndërgjegjësimi i edukimit për mediet dhe informacionin. Edhe kjo konferencë i shërben kësaj padyshim. Gjithçka që bëjmë ne të tjerët i shërben kësaj. Niveli i dytë është niveli analitik që në shkollë fëmijët të marrin aftësitë dhe kompetencat themelore të të kuptuarit të medias, të mendimit kritik që lidhet me median, të verifikimit të fakteve, analizës së medias etj. Niveli tjetër është niveli kreativ. Sigurisht fëmijët e bëjnë edhe vetë, por ne po përpiqemi të bëjmë diçka të rëndësishme edhe në universitete. Është e nevojshme që një nxënës shkolle sot të jetë në gjendje të bëjë një video. Nuk do të bëhet gazetarë, por të paraqesë një video, të krijojë përmbajtje mediatike dhe ti publikojë ato”, tha Lani.

Tërshana: Media, hapa pozitivë në çështjen e respektimit të të drejtave të fëmijëve

Elma Tërshana, eksperte nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve gjatë fjalës së saj në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, të zhvilluar në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audioviziuale, tha se “në historikun që ne kemi ndjekur median në këto 10 vite, ndjehem plot pasion, sepse media, përpos hapave në shumë drejtime, edhe në çështjen e respektimit të të drejtave të fëmijëve absolutisht ka bërë hapa pozitiv”.

“Nëse kujtojmë ato mesazhe, video që transmetoheshin 10 vite më parë, mënyra sesi ekspozohej fëmija, mënyra sesi fëmija fliste dhe nuk ishte absolutisht me filtra, sot kjo nuk ndodh më”, u shpreh Tërshana.

“Këto janë hapa progresi pikërisht për të ruajtur dinjitetin për të mos cenuar fëmijën gjatë proceseve të zhvillimit të tij”, tha Tërshana.

Luarasi: Media impakt të madh tek fëmijët

Iris Lurasi, profesoreshë në Universitetin e Tiranës, gjatë fjalës së saj në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, tha se, “media, familja, brand-et kanë një impakt të madh tek fëmijët dhe mund të themi se formojnë personalitetin e tyre”.

“Nga njëra anë fëmijët kanë një qasje aktive ndaj botës dhe nga ana tjetër për shkak të kontigjencës dhe superficialitetit të këtyre përmbajtjeve kjo ndikon dhe vret individualitetin e tyre”, tha Luarasi.

“Gjatë viteve të fundit fëmijët janë bërë gjithnjë e më shumë konsumatorë të përmbajtjes në internet. Shumica e këtyre fëmijëve kalojnë kohën e tyre të lirë përpara televizorit ose kompjuterit. Shumë fëmijë janë të pajisur me të gjitha aftësitë më të mira për përdorimin kompjuterit. Aksesi në kompjuter, nuk u ndalohet”, tha Luarasi.

“Fëmijët shohin mesazhe të ndryshme nëpër media, të cilët u adresohen atyre. Mediat në vetvete nuk është se janë të mira apo këqija, por varet se çfarë përmbajtje transmetojnë. Televizionet, jo vetëm që po krijojnë kulturën e vlerave, por ato luajnë edhe rolin e dadove, prezantojnë modelet dhe parashtrojnë edhe trendet e të rriturve”, u shpreh ajo.

Karadas: Në Turqi, mekanizma ligjor për mbrojtjen e fëmijëve

Orhan Karadas, zv/drejtor i Këshillit Suprem të RTUK (Turqi), gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, solli shembullin e Turqisë për mbrojtjen e fëmijëve në mediet audiovizive.

“Ne e filluam klasifikimin në vitin 2006. E filluam në mënyrë vullnetare. Tashmë kemi një kuadër rregullator dhe zbatojmë ligjin për këtë çështje”, u shpreh Karadas.

“Që nga viti 2011 edukimi mediatik është i detyrueshëm me ligj ku të gjithë rregullatorët duhet të bëjnë klasifikimin e tyre për transmetimin e produkteve të tyre dhe përmbajtjeve të tyre në televizor. Sigurisht kemi një kuadër rregullator edhe për internetin edhe për radion”, tha ai.

“Ne kemi disa dispozita të cilat parashikojnë mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, për shërbimet mediatike. Të gjitha dispozitat, parashikojnë për ofruesit dhe përmbajtjen në internet të këtyre transmetimeve, duhet të jenë të detyruar të përmbushin të gjitha kërkesat, kriteret e kuadrit ligjor, për sa i përket mbrojtjes së fëmijëve. Një përmbajtje e papërshtatshme mund të cenojë zhvillimin e tyre mendor, psikik, emocional”, tha Karadas.

“Në mënyrë që të përshtasim këto të drejta të fëmijëve jemi konsultuar me akademikët, në mënyrë që të krijojmë një kuadër sa më të përshtatshëm ligjor, për efektet e transmetimit dhe përmbajtjes mediatike për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve”, theksoi Karadas.

“Pas këtij akti nënligjor, të gjitha prodhimet mediatike si Amazon dhe shërbime të tjera prodhimi mediatik, të cilat janë në internet, vendosin sistemin e kontrollit prindëror për përmbajtjen. Në Turqi kjo funksionon për të gjitha mediat online, në internet. Dhe duhet që çdo përdorues të vendosë një kod të posaçëm. Ata që nuk janë 18 vjeç kanë disa mekanizma filtrimi privatësive për të kaluar. Ky kod vjen në telefon në mënyrë që t’ju lajmëroj se çfarë po shohin fëmijët tuaj në llogarinë tuaj të e-mail-it”.

Bernardi: Fëmijët të mbrohen kundrejt çdo materiali që nuk është i përshtatshëm për moshën e tyre

“Konventa e fëmijëve thotë se fëmijët e të drejtat e tyre duhet të ekspozohen ndaj medias, duke e njohur rëndësinë që mund të luajë media në zhvillimin e një fëmije”.

Kështu deklaroi sot përfaqësuesi zyrtar i UNICEF -it në Shqipëri, Roberto di Bernardi, në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, të zhvilluar në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audioviziuale.

Në fjalën e tij Di Bernardi tha se “e njëjta konventë deklaron në mënyrë shumë të qartë se fëmijët duhet të mbrohen kundrejt çdo materiali që mund të mos jetë i përshtatshëm për moshën e tyre”.

“Për UNICEF konventa e fëmijëve është kushtetuta jonë. Është një dokument që nuk skadon kurrë, mund të ketë ndryshime të vogla por nuk skadon asnjëherë”.

Abuzimet me të mitur, Luku: Media të evitojë përmendjen e detajeve

Elvin Luku, profesor në Universitetin e Tiranës, gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, tha se, “drama e krimeve seksuale me të mitur qëndron në faktin se ata që janë protektorët dhe supozohet që të jenë protektorët kryesorë të fëmijës, në fakt nga hulumtimet e mia, kanë rezultuar që janë njëherësh abuzuesit kryesorë të tyre”.

“Këtu i referohem, krimeve seksuale që ndodhin brenda familjes, prindërit, rrethi i ngushtë miqësor , fqinjësinë apo edhe në shkolla. Ka pasur raste kur ka pasur abuzime në shkolla. Ky nuk është një opinion i imi. Ky është rezultat i një hulumtimi që kam bërë duke analizuar vendimet e gjykatave gjatë 10 viteve në Shqipëri nga 2010 në 2019, të burimeve zyrtare”, tha Luku.

Sa i përket hartës së krimeve seksuale, Luku u shpreh se, “nëse nisemi nga statistikat që janë nxjerrë nga vendimet e gjykatave na rezulton një lloj trendi ose prirje, ku zonat urbane janë ato me nivelin më të lartë të raportimit dhe ku ndodhin më së shumti këto lloj abuzimesh seksuale si Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça etj”.

Por sipas tij, “kjo është një lloj statistike gënjeshtare, sepse gjatë leximit të rrethanave të faktit të vendimeve gjyqësore sheh që ka një lloj hezitimi në zonat rurale për ta denoncuar abuzimin seksual”.

Sa i përket raportimit të medieve për këto raste, Luku u shpreh se, “na rezulton se ligji vë theksin pikë së pari tek shëndeti i të miturit. Gazetari merr informacion dhe mundohet të raportojë atë çështje që përbën interes publik. Por po të analizosh ligjin specidikon se shëndeti i fëmijës në rastin konkret është shëndet publik dhe ky është element që duhet mbajtur parasysh”.

Luku shtoi se, “media kur raporton për këto raste abuzimi duhet të evitojë të përmendë detaje, të evitojë të tregojë vendndodhjen e lajmit duke paraqitur plan makro dhe të evitohen pamjet vizive të shtëpisë së viktimës. Elementi tjetër ka të bëjë me evitimin e intervistave me prindërit dhe të afërmit e viktimës sepse kjo sjell në identifikimin e të miturës që është abuzuar. Tjetër element është evitimi i intervistimit i fëmijës së mitur që ka qenë viktimë. Elementi i fundit është evitimi i shprehjeve, lidhjeve, dashurore, akt seksual në këto raste”.

Kaziaj: Media shqiptare i portretizon fëmijët si objekte emocionale, ose si viktima

Emiliano Kaziaj, ekspert i Bordit të Kërkimeve dhe Shkëmbimeve Ndërkombëtare (IREX), gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, tha se, “media shqiptare i portretizon fëmijët si objekte emocionale, ose si viktima”.

“Edukimi mediatik mbulon pjesën e fundit të gjithë zinxhirit të informacionit që deri tani duhet thënë që ka qenë në mëshirë të fatit dhe ne thjesht supozojmë se çfarë audiencat mund të dinë, si mund të ndërveprojnë me produktin mediatik. Por nuk ka studime të qarta. Aq më pak për fëmijët. Kështu që AMA bën një punë shumë të mirë si institucioni i pavarur rregullator në Shqipëri dhe në monitorimin dhe me ligjet. Operatorët patjetër që do të bëjnë punën e tyre ndonjëherë edhe si institucione me interesa private. Kështu që konsumatori mbetet i pambështetur. Prandaj është i rëndësishëm edukimi për mediet”, tha Kaziaj.

“A interesohen fëmijët për lajmet dhe informacionin? A duhet të kemi edukim për medien për fëmijët? Në një studim që kam bërë kam bërë një sërë intervistash me gazetarët, drejtues në zyrat e informacionit në Shqipëri dhe ajo që kuptova është se asnjë prej tyre nuk i sheh fëmijët si audienca e tyre imagjinare. Kur bëjnë një lajm, e bëjnë për të rriturit. Nuk e mendojnë që mund të jetë edhe një fëmijë duke parë këtë lajm”, tha Kaziaj.

“Nga ana tjetër zhvillova një studim me 112 fëmijë ku diskutuam për marrëdhëniet e tyre me lajmet dhe me të rritur. Fëmijët ishin shumë të aftë të identifikonin prezantuesit, jo vetëm me emra, por edhe kanalet mediatike ku punonin. Të rriturit, për arsye të ndryshme i konfuzonin emrat. Kjo tregon se fëmijët janë audiencë për lajme”, u shpreh Kaziaj.

Sa i përket portretizimit të fëmijëve, Kaziaj tha se, “lajmet shqiptare i portretizojnë fëmijët në dy kategori shumë të limituara. Objekte emocionale për të nxitur emocionet e audiencës. Fëmijë që festojnë 1 Qershorin, që kërcejnë, që bëjnë parada mode, që dinë të bëjnë gjëra të bukura për sytë e të rriturve. Ose si viktima. Fëmijë që dhunohen nga familjarët ose të tjerë. Dhe këto janë dy kategori shumë të limituara”.

Vojvodic: Mali i Zi, rregulla rigoroze për mbrojtjen e fëmijëve

Zëvendësdrejtoresha e Mediave Elektronike në Mal të Zi, Jadranka Vojvodic në fjalën e saj në konferencën “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive” të zhvilluar në Tiranë tha se, “ne kemi rregulla shumë rigoroze për mbrojtjen e fëmijëve”.

“Rregullatori ynë lidhet me shërbimet e medias audiovizuale kemi ligjin për mediet elektronike, udhëzuesin për reklamat dhe udhëzuesin për mediat audiviziuale. Këto udhëzues përmbajnë rregulla më strikte për sa i përket të miturve, këto rregulla lidhen me planifikimin, programimin e editorialeve dhe përmbajtjeve reklamuese”.
Sipas saj, fëmijët po shikojnë gjithnjë e më pak televizion dhe e marrin të gjithë informacionin në internet.

“Besoj se televizioni është ende dhe përfaqëson një pjesë të rëndësishme të konsumimit të tyre të medias kur flasim për fëmijët e vegjël sidomos. Megjithatë me zhvillimin e platformave kabllore dhe dixhitale të miturit janë të ekspozuar ndaj një mori kanalesh të huaja, të cilat mund të kenë programe të grupuara sipas grupmoshave”, tha Vojvodic.

Ajo vuri në dukje se fëmijët janë të ekspozuar ndaj komercializmit dhe reklamave të synuara me grupmosha, këto janë rezultatet e analizave që kemi kryer.

“Kanalet lokale nuk kanë ndonjë audiencë të synuar të të miturve, por kjo është më shumë prezente në kanalet e huaja, të cilat shihen më së shumti në Malin e Zi”, – shtoi Vojvodic.

Bregu: Media të marrë pjesë në hartimin e politikave në interes të fëmijëve

Anila Bregu nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, Tiranë, në fjalën e saj në konferencën “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive” tha se, “në media janë shkelur të drejtat e fëmijës, si në emisione televizive, reklama, por edhe në transmetimet e përditshme në lajmet që lidhen me fëmijët”.

“Ato që na prekin ne më shumë janë rastet e publikimeve të fëmijëve viktima të abuzimit, të dhunës, të neglizhimit”, – tha Bregu.

Më tej Bregu u shpreh se, “janë disa të drejta ndërkombëtare që shteti ynë i ka ratifikuar, por ajo që dua të theksoj është Konventa e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e fëmijëve kundër shfrytëzimit dhe abuzimit seksual, e cila është një konventë e miratuar së fundmi dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve është institucioni që përfaqëson shtetin shqiptar dhe raporton në këtë konventë”.

“Në këtë konventë është e cituar që media duhet të marrë pjesë në hartimin, zbatimin e politikave për të parandaluar shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve, pra jo vetëm ta raportojë dhe transmetojë lajmin, por të marrë pjesë në hartimin e këtyre politikave në interes të fëmijëve”, – tha Bregu.

Bregu tha se “ne kemi një bashkëpunim të mirë me Autoritetin e Mediave Audioviziuale, Këshillin e Ankesave me autoritet të tjera, Këshillin e medias shqiptare ku kemi raportuar raste të shumta ku cenohen të drejtat e fëmijëve”.

Tartari: Kemi nevojë për një kod etik për mbrojtjen e fëmijëve

Profesori i Universitetit të Tiranës, Alban Tartari në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, foli për përdorimin e imazhit të fëmijës në reklama në Shqipëri.

“Jemi përballe tre elementëve kryesorë në përdorimin e imazhit të fëmijës në Shqipëri. E para, ka të bëjë kur këto reklama shenjëstrojnë fëmijët, problemi më i madh është kur ne kemi reklama që shenjëstrojnë të rriturit, por ama kemi fëmijët që luanë aty, shfaqen në imazh aty dhe e treta, kemi figurën e fëmijës, imazhin fëmijës që përdoret nga media për vetë programet e saj”, – theksoi Tratari.

Sigurisht, shtoi ai, edhe televizionet e përdorin imazhin e fëmijës.

Më tej Tratari u shpreh se “ne kemi nevojë për një kod etik dhe ky kod etik të dakordësohet. Jo më kot kryetarja e AMA-s e tha që në fillim që do të shikojmë kodet e transmetimeve, dhe ndaj jemi këtu të marrim mendimin e të gjithëve”.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.