Hapet programi i ri master profesional “Infermieri Familje”

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Mjekësisë Tiranë është çelur për herë të parë programi i ri master profesional “Infermieri Familje”.

Me urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike i shtohet programi i ri master profesional “Infermieri Familje”, me kohëzgjatje 1 vit akademik (2 semestra), 60 kredite, me kohë të plotë, i cili do të fillojë përgjatë vitit akademik 2021-2022.

Kurrikula është hartuar nga grupi i punës i ngritur pranë Fakultetit si dhe me mbështetjen dhe kontributin e veçantë të ekspertëve të institucioneve arsimore të profilit të shkencave mjekësore teknike të Bazelit, Zvicër, mbështetur nga Shëndet për të Gjithë (Health for All Project), një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC. Mbështetja dhe kontributi i ekspertëve të profilit të shkencave mjekësore teknike të Bazel do të vijojë edhe në 2 vitet e ardhshme.

Gjatë masterit, studentët do të përfitojnë nga integrimi i teorisë me praktikën, me një vëmendje të shtuar tek praktika, e cila përgjatë gjithë kohëzgjatjes së masterit do të zhvillohet në laboratorin e ri stimulus bashkëkohor dhe unik të praktikës klinike të FSHMT dhe praktikave profesionale në Qendrat Shëndetësore të Kujdesit Parësor.

Po kështu studentët do të kenë akses në ambientet bashkëkohore të laboratorit të informatikës, me qëllim zhvillimin e kërkimit shkencor, për hartimin e projektit përfundimtarë të studimeve, por jo vetëm.

Në përfundim të studimeve, studentët do të përfitojnë diplomën Master Profesional “Infermieri Familje” dhe do të jenë të pajisur për herë të parë me kualifikimin dhe kompetencat e specializuara të Infermierit të Familjes, duke iu përgjigjur kështu nevojave të popullsisë shqiptare për shërbim të specializuar infermieror në familje, trajtimit të sëmundjeve kronike jo-të transmetueshme dhe prirjes për plakjen e popullatës.

“Në këto studime ofrohet cilësi të lartë e bashkëkohore të kurrikulës, hartuar në bashkëpunim me Universitetin e Bazelit, Zvicër e mbështetur nga HAP (Health for all project) dhe mësimdhënie cilësore bazuar në këtë kurrikul por edhe në trajnimet, edukimin në vazhdim të stafit të pedagogëve me profil infermierë, si dhe gjithë baza materiale dhe infrastrukturore bashkëkohore në shërbim të këtij programi. Ky program do të edukojë Infermierët e parë të familjes si profesionistët që do të kenë rol të pazëvendësueshëm në shërbimin parësor në vendin tonë, sipas praktikave dhe eksperiencave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh dekania e Fakultetit, prof. asc. Ilirjana Zekja.

Aplikimet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike vijojnë deri më 18 tetor 2021.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.