TIRANË 11 tetor /ATSH-I.Vata/ Deputeti i PD-së Flamur Noka deklaroi sot se në mbledhjen e grupit parlamentar i kishte kërkuar kryetarit Lulzim Basha të mbajë përgjegjësi, pasi sipas tij, Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur “llum”.
“Dënoj leksikun e ulët të kryetarit të PD-së Lulzim Bashës ndaj qeverisë së PD-së, qeverisë më të suksesshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vite demokraci. Jam këtu për të dënuar edhe fyerjet, poshtërimin e radhës i cili mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar, i bëri anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’. Askush nuk ka guxuar, as Nano, as Rama, as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum. Askush nuk ka guxuar, as armiqtë më të egër të forcës tonë politike që të konsiderojnë bazën e PD-së e cila po mbush foltoret, e cila kërkon që kjo forcë politike të rikthehet në standardet e saj dhe statusore, që kjo forcë t’i rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të rrijë në kthetrat e tij. Pra nuk ka guxuar askush ta quajë llum bazën e PD-së përveçse Basha”, tha ai.
Po ashtu, Noka shtoi se “mbrëmë i kërkova të marrë përgjegjësi, forca jonë politike po shkon në zgrip, falë vendimit të Bashës”.
“Mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së grupit unë i kërkova që të marrë përgjegjësi. Forca jonë politike është duke shkuar në zgrip falë vendimit kult të Bashës. Dhe nëse ai e konsideronte sado pak këtë forcë, dorëheqja do ishte e vetmja zgjidhje për ta bashkuar këtë forcë politike, për ta rimëkëmbur dhe Basha konfirmoi mbrëmë se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD dhe i demokratëve në përgjithësi. Pra, mbrëmë mbi fatin e PD-së dhe demokratëve, Basha konfirmoi fatin e karriges së tij dhe u vendos i lidhur pas asaj karrigeje”, tha Noka.
Po ashtu, Noka tha se “Foltorja e Sali Berishës është e vetmja alternativë për ta mbajtur këtë forcë të bashkuar dhe për ta shpëtuar nga rrokullimë ku Basha po e çon”.
Noka tha se mbledhja e firmave për të zhvilluar Kuvendin Kombëtar po ecën shkëlqyeshëm. “Edhe deputetët që kanë zbritur në bazë e konstatojnë këtë se baza e PD-së është qartësisht për një parti të bashkuar, foltorja është shpresë dhe firmat po ecin në mënyrë të shkëlqyeshme”, theksoi ai.
/j.p/r.e/























