TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Studentët në të gjithë vendin po i bashkohen gjithnjë e më shumë procesit të vaksinimit antikovid.
Në qendrat e vaksinimit pranë fakulteteve, në kuadër të “Javës së vaksinimit masiv të studentëve”, janë paraqitur një numër i lartë studentësh për të kryer vaksinën.
Ekipet e vaksinatorëve gjatë kësaj jave do të jenë në të gjitha universitetet e vendit për të pritur studentët që të vaksinohen.
Për shkak të numrit të ulët të studentëve të vaksinuar, viti i ri akademik u shty me një javë për të nisur më 18 tetor, me sa më shumë studentë që kanë kryer vaksinën antikovid.
Ditën e sotme ekipet e vaksinatorëve janë të vendosur në Fakultetin e Stomatologjisë, Universitetin e Sporteve dhe atë të Arteve në Tiranë, në Godinën e Rektoratit dhe tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Shkodër, tek Godina e Rektoratit dhe tek Fakulteti i Shkencave Humane në Vlorë, në hollin e Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, pika pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Fakulteti i Mjekësisë dhe Infermierisë në Korçë, Korpusi kryesor i Universitetit dhe Fakulteti Shkencave Teknike Mjekësore në Elbasan.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi i bëri thirrje studentëve të pavaksinuar që përgjatë kësaj jave të paraqiten në qendrat e vaksinimit pranë fakulteteve të tyre.
“Për interesin e përbashkët të rikthimit në normalitet, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një viti të mbarë akademik”, tha Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “në të gjithë vendin ka filluar “Java e vaksinimit masiv të studentëve”, të cilët po i bashkohen çdo ditë e më shumë këtij procesi”.
Vaksinimi i studentëve pranë fakulteteve do të vijojë gjatë gjithë javës në të gjitha qytetet universitare në vend sipas një kalendari tashmë të përcaktuar.
/k.s/r.e/





















