TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Në kuadër të “Javës Botërore të Investitorit”, nën kujdesin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare u zhvillua aktiviteti “Ne flasim gjuhën e tregjeve financiare”.
Përgjatë një viti, gjimnazistë dhe maturantë nga shkollat e mesme në qytete të ndryshme të vendit u përfshinë në hartimin e një fjalorthi me terma dhe koncepte themelore për tregjet financiare, shprehur në një gjuhë të thjeshtë e të përshtatshme për grupmoshën e tyre.
Në ceremoninë e ndarjes së vlerësimeve, Mimoza Kaçi, nëndrejtore ekzekutive e AMF-së shprehu mbështetjen për iniciativa të tilla, të cilat synojnë angazhimin dhe përfshirjen direkt të të rinjve, duke kontribuar në rritjen e njohurive të tyre për tregjet financiare.
Kaçi theksoi se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbetet i orientuar në nismat që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit për tregjet financiare nën mbikëqyrje, ndërkohë që në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë është angazhuar në hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për edukimin financiar.
Ajo u shpreh se Autoriteti është përfshirë në vijimësi në aktivitete në funksion të rritjes së edukimit financiar, ndërsa ka koordinuar dhe mundësuar kryerjen e praktikave mësimore për të rinjtë në subjektet që operojnë në tregjet nën mbikëqyrje. Në këtë kuadër, Autoriteti do të ofrojë mundësinë e praktikave mësimore pranë AMF-së edhe për pjesëtarët e skuadrës fituese të iniciativës “Ne flasim gjuhën e tregjeve financiare”.
AMF ndër vite ka qenë aktive në “Javën Botërore të Investitorit”, gjatë së cilës ndërmerren nisma në shumë vende të botës, me qëllim promovimin e edukimit financiar dhe mbrojtjes së investitorëve. Gjatë kësaj jave, AMF ka vijuar gjithashtu trajnimet për edukimin në vazhdim të profesionistëve të fushës, me qëllim thellimin e njohurive të tyre për tregjet financiare jobankare, me fokus të veçantë ndryshimet e fundit ligjore dhe rregullatore.
/j.p/r.e/












