Ballina Aktualitet

“Ballkani i hapur”, zhvillim i natyrshëm i Procesit të Berlinit

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë fjalës së tij në Forumin e Tiranës për Ndërlidhjen Infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, se Ballkani i Hapur është një zhvillim i natyrshëm i Procesit të Berlinit.

“Harta e ndërlidhjes është e qartë. Është hartuar që prej disa kohësh tashmë. Financimi dhe proceset operative për zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord lidhur me këtë hartë është një sfidë mjaft e madhe”, tha Rama.

“Unë vazhdoj të këmbëngul se përmes Ballkanit të Hapur ne do të kemi një mekanizëm shtesë, më efikas për të nxitur saktësisht kapacitetet që ne kemi, për të bërë më shumë në këtë drejtim”, theksoi Rama.

“Investimet në ndërlidhje, kombinuar me përpjekjet e përbashkëta, për ta bërë rajonin tonë një rajon pa barriera, sa më shpejt të jetë e mundur sa u takon barrierave jotarifore, është gjëja e duhur për t’u bërë dhe është rruga e duhur për të ecur përpara”, u shpreh Rama.

“Ka diskutime mjaft konfuze për Procesin e Berlinit, për Ballkanin e Hapur, ndërkohë që për mua është shumë e qartë, Ballkani i Hapur është frymëzuar nga Procesi i Berlinit, është një zhvillim i natyrshëm i Procesit të Berlinit. Është një instrument i krijuar në rajon për të vendosur të gjitha përpjekjet nga rajoni për të zbatuar parimet dhe objektivat e vetë Procesit të Berlinit, ndërkohë që Procesi i Berlinit i vetëm është e qartë që ka një problem. Problemi është që autorësia, është jashtë Ballkanit. Çka nënkupton, që pavarësisht vullnetit të mirë, cilido nga jashtë që është i angazhuar me Procesin e Berlinit, ka objektivisht shumë më tepër gjëra për t’u marrë në jetën e përditshme dhe nuk mund të përqendrohet vetëm tek Ballkani, çka ne mundemi dhe duhet ta bëjmë”, u shpreh Rama.

Pra, shtoi kreu i qeverisë, “praktikisht, është njësoj si një njësi zbatimi projekti. Donatorët marrin pjesë me financim dhe shoqërohet nga projektet, por kanë gjithmonë nevojë për njësinë e zbatimit të projektit në vend me qëllim që të merren pikërisht me zbatimin. Pra Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të Procesit të Berlinit, shumë e thjeshtë. Është gjithëpërfshirës ashtu siç është edhe Procesi i Berlinit. Është natyrisht i hapur për përmirësime. Nuk është një proces, i cili ndikon apo e trazon këtë proces, por është një proces, i cili kërkon zbatimin e të 4 lirive”.

Rama theksoi se, “ajo çfarë investojmë financiarisht për shkak të natyrës së këtij plani është gjithmonë e varur nga kapacitetet dhe nga performanca  e më shumë sesa një vendi. Pasi çdo rrugë, çdo segment rrugor, çdo segment hekurudhor, çdo segment dixhital apo çfarëdolloj gjëje që ne të bëjmë, në një rrjet të ndërlidhur të energjisë, nuk mund të ndërtohet në mënyrë të fragmentarizuar dhe nuk mund të ndahet nga tjetri”.

“Ne duam të nxisim përpara korridorin Adriatiko-Jonian dhe jemi aktualisht të angazhuar në një ushtrim solo, ndërkohë që vitet kalojnë dhe projekti është larg së qeni gati sa i takon përfshirjes së vendeve që presupozohet ta kenë këtë ndërlidhje konkretisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia. Për këtë ne jemi përgatitur shumë seriozisht e tërësisht për një investim, i cili duhet që të sigurojë financimin përmes kontratave të drejtpërdrejta me rrugët, që nënkupton rrugët me pagesë. Pra na duhet të ndërtojmë korridorin, por të kemi një zgjidhje alternative për të gjithë, pra jo vetëm korridorin, por gjithashtu edhe alternativë për rrugët”, u shpreh Rama.

“Jemi tashmë më së fundi duke parë të fillojë puna për hekurudhën Tiranë-Durrës, që ka qenë një proces i gjatë. Do të thosha as proces zakonisht i gjatë, po edhe më shumë sesa aq me BERZH-in për arsye që nuk kanë qenë të lehta për t’u kuptuar, e megjithatë më në fund gjërat janë në rregull dhe mund të fillojmë. Aktualisht na duhet që ta lidhim Durrësin me Malin e Zi, në kuptimin hekurudhor, se në të kundërt atëherë nuk ka kuptim”, theksoi Rama.

“Në të kundërt lidhja e Durrësit me Hanin e Hotit dhe pastaj nga Hani i Hotit me Malin e Zi do të nxisë tregtinë. Paralelisht me këtë ne jemi sigurisht të interesuar dhe po presim me padurim që të punojmë edhe për hekurudhën tjetër Durrës-Prishtinë dhe më pas të lidhet me Nishin që sërish e sjell të gjithë investimin në një rrjet më të gjerë, jo vetëm rajonal, por edhe evropian”, tha Rama.

“Tjetra është segmenti mes Durrësit dhe Maqedonisë së Veriut që sërish do të jetë kuptimplotë për rajonin dhe do të jetë shumë i rëndësishëm paralelisht me punën që kemi nisur me portin e ri tregtar të qytetit të Durrësit që do të jetë më i madh, më i mirë dhe shumë më tepër dinjitoz nga pikëpamja mjedisore sesa infrastruktura katastrofike që kemi pasur, që kemi dhe që ende e quajmë port”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, shtoi Rama, “sigurisht urojmë që të mund të shoqërojmë projektin e hekurudhës Durrës – Maqedoni e Veriut edhe me projektet e infrastrukturës rrugore, por kjo duhet bërë pasi të sigurohemi që të tejkalojmë disa pengesa në situatën aktuale”.

“Ana tjetër e historisë sigurisht ka të bëjë me dixhitalen dhe me rritjen e kapaciteteve këtu brenda vendit, duke hapur një horizont të ri për të rinjtë. Kemi shumë të rinj të talentuar, ashtu si në çdo vend të rajonit, që duhet të shoqërohen përmes një mënyre shumë më të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse të prezantimit të tyre me botën dixhitale. Do të ndryshojmë krejtësisht programin e informatikës në shkolla, duke e sjellë në një epokë tjetër, sepse laboratorët e vjetër dhe mënyra e vjetër e mësimit të saj nuk përmbush, e nuk përballet dot me sfidat e kohës”, theksoi Rama.

“Gjithashtu do të angazhojmë përpjekjet financiare në kodim, për të pasur sa më shumë të jetë e mundur të rinj të cilët përfshihen në kodim. Puna është në vazhdim tek Piramida për ta transformuar në një nga qendrat më të mëdha rajonale të teknologjisë. Por nuk është e vetmja. Jemi duke u përpjekur për qendrën e Vlorës. Në Korçë kemi tashmë, ku biblioteka e re ka një hapësirë mjaft të këndshme të vogël që po rritet dhe do të bëhet më e madhe. Duam të bëjmë të njëjtën gjë për Durrësin, Shkodrën dhe në faza të mëtejshme të përfshijmë edhe bashki të tjera”, tha Rama.

“Kjo po kështu, – shtoi kreu i qeverisë, – vjen e shoqëruar me nevojën për të ecur paralelisht me rritjen e investimeve në kapitalin njerëzor, përmes qasjes së re ndaj universiteteve”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKredia bankare, burim i qëndrueshëm financimi për ekonominë
Artikulli tjetërGazheli në Prishtinë: Lehtësimi i procedurave doganore për nxitjen e tregtisë