Ballina Aktualitet

Meta: Mesazhet e sotme të samitit BE-Ballkani Perëndimor, inkurajuese

TIRANË 6 tetor /ATSH-I.Vata/ Presidenti Ilir Meta deklaroi se mesazhet e sotme të samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese.

Presidenti shprehet se “perspektiva europiane e rajonit jetësohet përmes reformave të besueshme, në themel të të cilave qëndrojnë parimet dhe vlerat europiane të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit”.

“Mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme, që Bashkimi Europian vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë, si partner i parë dhe i natyrshëm ekonomik, duke qëndruar plotësisht të linjëzuar në qëllimin e përbashkët strategjik të zgjerimit. Plani Ekonomik i Investimeve dhe Agjenda e re për Inovacionin duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë dhe frenuar shpopullimin e mëtejshëm dramatik të vendit. Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqëndrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra. Bishtnimi ndaj këtyre zotimeve dhe parcelizimi i rajonit kundërprodhojnë më shumë ndasi dhe konflikte artificiale të padobishme, dhe bien ndesh me rrugën europiane të vendeve tona”, tha ai.

Po ashtu, Presidenti Meta thekson rëndësinë që ka nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Duke përshëndetur Presidencën sllovene të BE dhe të gjitha vendet e tjera anëtare për zhvillimin e këtij Samiti të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ripërsëris rëndësinë, që ka nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe liberalizimi sa më parë i vizave me Kosovën, një premtim që kërkon zbatim urgjent”, shprehet Meta.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak”Forbes”: 400 miliarderët shtuan ndjeshëm pasuritë, pavarësisht pandemisë
Artikulli tjetërReforma në Drejtësi, Manja garanton mbështetje për homologen e Kosovës