Ballina Aktualitet

Mbërrin sot në Tiranë kryetarja e radhës e OSBE-së, Ann Linde

TIRANË 5 tetor /ATSH-I.Vata/ Mbërrin sot në Shqipëri kryetarja e radhës së OSBE, ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde.

Lajmi bëhet i ditur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila njofton ardhjen e kryetares së radhës së OSBE, Ann Linde në Tiranë, ku do flasë për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.

“Mirëpresim nesër për vizitë në Shqipëri kryetaren e radhës së OSBE, ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde. Në takimet me homologët e saj shqiptarë, kryetarja Linde do të flasë me ta për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe për programin e reformave të vendit”, thuhet në njoftim e Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Gjithashtu prezenca e OSBE-së në Shqipëri bën të ditur dhe axhendën e takimeve që do të zhvilloj ajo sot në vendin tonë.

Linde do të takojë Presidentin Ilir Meta dhe Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.

Linde do të marrë pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet OSBE-së dhe Shqipërisë për fuqizimin e punës kundër rrezikut të shpërndarjes dhe keqpërdorimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta.

Takimi ndërmjet dy ministreve do të ndiqet nga një konferencë për shtyp në orën 11:40 në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ajo do të takohet gjithashtu me Kryetaren e Kuvendit, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKorçë, 50% e mollëve për eksport prodhohen në Dvoran
Artikulli tjetërI prekur nga COVID-19, ndërron jetë gazetari i njohur i sportit, Kosta Grillo