Ballina Ekonomi

Korçë, 50% e mollëve për eksport prodhohen në Dvoran

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Qarku i Korçës është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mollëve në vend.

Vitet e fundit, mollët e Korçës kanë pushtuar edhe tregjet e huaja, ato rajonale dhe europiane.

Drejtori i Bujqësisë në bashkinë Korçë, Vullnet Gjolla u shpreh për ATSH-në se, “me mbështetjen e AZHBR-së, fermerët kanë zgjeruar sipërfaqet e mbjella me mollë dhe kanë  rritur standardet e prodhimit dhe trajtimit të tyre, duke u shndërruar në furnizuesit kryesorë të mollëve për prodhim industrial dhe konsum në tregjet jashtë vendit”.

Sipas tij, vetëm nga fshati Dvoran, prodhohet rreth 50 % e mollëve që eksportohen në tregun huaj.

Në Shqipëri kultivohen mbi 42.195.000 rrënjë mollë, të cilat japin një prodhim mbi 84 mijë  tonë, shifër kjo, që paralajmëron rritjen e mëtejshme të eksportit të mollëve shqiptare drejt tregjeve të reja të huaja.

Ndërkohë dy janë zonat që regjistrojnë prodhimin më të lartë të mollëve në vend: Korça dhe Dibra, që zënë rreth 70 % të prodhimit total të mollëve në shkallë vendi.

Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Chief dhe Starking që përbëjnë 52 % të pemëve drurëve frutorë, dhe Golden Delicious që përbëjnë 42 %.

Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si “Gala”, “Mutsu” dhe “Granny Smith”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRestaurimi, qendrës mesjetare të Beratit i shtohet edhe pusi i vjetër
Artikulli tjetërMbërrin sot në Tiranë kryetarja e radhës e OSBE-së, Ann Linde