Ballina Aktualitet

Dita e Bashkimit të Gjermanisë, Meta uron presidentin Steinmeier

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta uroi presidentin Frank-Walter Steinmeier me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Në mesazhin e urimit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e sinqertë dhe avokatinë e drejtpërdrejtë të Gjermanisë, si për vazhdimësinë gjeo-strategjike të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për kapërcimin e vështirësive në procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, të përcjell urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për Ju dhe popullin mik gjerman. Në këtë ditë të veçantë dhe të rëndësishme për vendin dhe popullin Tuaj, me shumë gëzim dëshiroj të vlerësoj miqësinë e thellë e të sinqertë si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve e dy popujve tanë. Vendi im mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e sinqertë dhe avokatinë e drejtpërdrejtë të Gjermanisë, si për vazhdimësinë gjeo-strategjike të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për kapërcimin e vështirësive në procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet në mesazhin e presidentit Meta.

Meta po ashtu thekson se Procesi i Berlinit mbetet rruga më e qartë e më e sigurtë për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në familjen dhe vlerat europiane.

“Dëshiroj t’ju falënderoj, zoti President, edhe për mbështetjen që vendi Juaj, përmes Procesit të rëndësishëm të Berlinit, hapi një perspektivë të qartë politike dhe ekonomike integruese në Bashkimin Europian për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe t’Ju siguroj se ky proces jetik për të gjithë ne, mbetet rruga më e qartë e më e sigurt për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në familjen dhe vlerat europiane. Nënvizoj, në këto çaste të rëndësishme për të gjithë rajonin tonë, se do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer mes vendeve tona, si dy vende anëtare të NATO-s, për çështjet e sigurisë rajonale, në dobi një rajoni të paqtë, të begatë dhe të integruar në Bashkimin Europian”, shtoi Meta. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDhënie ndihme shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, ndalohen 5 persona
Artikulli tjetër“Makina inteligjente” e Policisë, gjoba të vjen në shtëpi