TIRANË 1 tetor /ATSH-I.Vata/ Deputet i Partisë Demokratike, Edmond Spaho i bashkohet nismës së ish-kryeministrit Sali Berisha, që kërkon mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD dhe rikthimin e partisë siç e quan ai në identitet.
Spaho e ka bërë të ditur këtë lëvizje të tij përmes një reagimi duke theksuar se PD është bunkerizuar dhe duhet hapur.
“PD është në gjendje shume kritike pas zgjedhjeve të 25 Prillit dhe zhvillimeve të mëvonshme. Bunkerizimi i Partisë është sëmundja me e rëndë që na ka zënë dhe për këtë fajtorë jemi të gjithë, ne qe kemi drejtuar edhe më shumë. Hapja e Partisë, debati midis nesh, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veçanërisht dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe shpëtuar PD. Janë këto arsyet që më shtyjnë të mbështes dhe marr pjese në “Foltoren” e organizuar në qytete te ndryshme te vendit. Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezionin. PD është aset i çmuar, që më së pari i përket demokratëve të çdo niveli, të cilët duhet të ndihen të përfaqësuar”, shprehet ai.
“Në këto kohë të vështira, PD më shumë se gjithçka, ka nevojë për lidership. Lidershipi duhet t’i dalë për zot sfidave, të mbrojë vendimet që merr dhe të jetë në krye të anëtarësisë për t’i çuar ata në fitore”, tha ai.
/a.a/r.e/





















