Ballina Flash

Mbi 90 % e mësuesve janë të vaksinuar

PRISHTINË, 1 tetor /ATSH/ Në pjesën më të madhe të shkollave në Kosovë, sipas raporteve të komunave, është duke u zhvilluar mësimi me prani fizike dhe me orë të plota mësimore.

Ndërsa, në shkollat ku ka numër më të madh të nxënësve, mësimi po zhvillohet sipas skenarit A (me prani fizike, por në klasa të ndara në grupe me jo më shumë se 20 nxënës) dhe një numër i vogël i shkollave po punojnë me skenarin B (mësim i kombinuar).

Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna në konferencën për medie, ku ka theksuar faktin se për zbatimin e skenarëve, varësisht nga situata epidemiologjike, do të kujdeset taskforca në nivel të institucionit në bashkëpunim me taskforcën në nivel të Drejtorisë Komunale për Arsim.

Ajo është pyetur në lidhje me organizimet që janë duke u bërë në shkollat, ku do të organizohet procesi zgjedhor më 17 tetor.

“Planifikimi do të bëhet me institucionet e linjës. Për momentin nuk kemi një vendim rreth kësaj”, tha ajo.

Maloku-Bërdyna u bëri thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të respektojnë masat në fuqi.

“Për të vijuar me këtë skenar, ju bëjmë thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të respektojnë të gjitha masat anti-COVID”, u shpreh ajo.

Më tej, ajo foli edhe për shpërndarjen e teksteve shkollore.

“Për klasat 3 dhe 8, këtë vit janë tekstet e reja. Ekipet e MASHTI-të sot kanë dalur në terren për të parë se si po shkon procesi i shpërndarjes së teksteve shkollore. Mbi 90 përqind e mësimdhënësve dhe stafit tjetër janë të vaksinuar”, përfundoi ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLSI çon në Kushtetuese ligjin për vetëqeverisjen vendore
Artikulli tjetërKursi i këmbimit, leku nënçmohet në raport me valutat