Ballina Ekonomi

FMN asiston AMF-në për kuadrin rregullator të kriptoaseteve

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Ecuria e tregjeve financiare jobankare, plotësimi i kuadrit rregullator dhe asistenca teknike e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ishin çështjet kryesore të diskutuara në takimin mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së, Ervin Mete dhe drejtueses së Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun.

Mete u shpreh se, vërehet një përmirësim i vazhdueshëm i treguesve teknikë e financiarë të shoqërive në tregjet nën mbikëqyrje.

Gjithashtu në muajt e parë të vitit 2021 është shënuar rritje e të ardhurave dhe aseteve të shoqërive që operojnë në këto tregje, si në krahasim me vitin 2020, ashtu edhe me vitin 2019.

Autoriteti ka përparuar me procesin e hartimit dhe miratimit të akteve rregullatore sipas afateve të përcaktuara ligjore.

Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv falenderoi Drejtuesen e Misionit të FMN-së për asistencën teknike ndaj Autoritetit, në funksion të ndërtimit të një kornize efektive rregullatore dhe mbikëqyrëse, në zbatim të ligjit për tregjet financiare të bazuara në regjistrat e shpërndarë.

Drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Yan Sun shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe asistencën me fokus forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit dhe plotësimin e kuadrit nënligjor.

Misioni i FMN-së vlerësoi se masat rregullatore të Autoritetit kanë qenë të përshtatshme, në funksion të monitorimit të kujdesshëm të treguesve dhe garantimit të stabilitetit financiar. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Morrison: Australia do të rihapë shpejt kufijtë ndërkombëtarë
Artikulli tjetër”No Time To Die” menjëherë arkëtime rekord