Ballina Ekonomi

Projektet për zhvillimin e porteve në vend

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Porti i jahteve që do të ndërtohet nga EMAR Group parashikohet ta kthejë Durrësin në një nga portat kryesore të Mesdheut sa i përket turizmit detar elitar.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria shqiptare po negocion me kompaninë që do ta ndërtojë këtë port për të patur aksionet e saj.

“Ne do të kemi një përfitim të dukshëm në ballinën ujore në portin ekzistues të Durrësit që do të kthehet në një ballinë ujore modern me ndërtimet turistike, për banim, zyra apo argëtim si dhe hotelet. Së bashku me pjesën e marinës elitare ne synojmë të kthehemi në një nga spotet kryesore të Mesdheut sa i përket turizmit detar elitar. Jemi në një negociatë me kompaninë që do ta ndërtojë për të patur edhe shteti shqiptar aksionet e veta brenda këtij porti”, deklaroi ministrja Balluku në një intervistë në medie.

Nga ana tjetër, ministrja Balluku bëri të ditur se porti komercial i Durrësit në Porto Romano do të jetë gati brenda vitit 2025.

“5 kompanitë që dolën fituese në fazën e parë janë në garë dhe deri në tetor do të shpallet edhe kompania fituese që do të hartojë projektin. Kompanitë kanë ndërtuar porte në shumë vende ku sot investohet fuqishëm në sektorin detar. Këto kompani konkurruan me projektet e tyre të mëparshme. Projekti për Portin e Durrësit do të jetë gati brenda 8 muajve. Pas përfundimit të kësaj faze kompania fituese duhet të dorëzojë projektin e detajuar. Projekti do të shërbejë si bazë nga autoritetet për të prodhuar kërkesat teknike për tenderin e ndërtimit. Do të ketë tender ndërkombëtar dhe e gjithë procedura mbyllet brenda një viti. Ne do të vendosim afat kohor 36 muaj”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, ai do të jetë gati në 2025-ën.

“Porti komercial i Durrësit do të jetë në pronësi të shtetit dhe do të menaxhohet nga Autoriteti Portual i Durrësit”, tha ajo.

Balluku shtoi edhe se parashikohet të ketë rritje të të ardhurave nga përpunimi i mallrave në këtë port.

“Të ardhurat do të rriten, pasi kapacitetet dhe teknologjia do të dyfishojnë volumet aktuale”, deklaroi ajo.

Lidhur me portin e Shëngjinit, ministrja tha se ai do të jetë një port jahtesh dhe se ka patur interes nga kompani për ndërtimin e tij.

“Ndërtimi i tij pritet të ketë një ndikim pozitiv në ekonominë e zonës”, tha ajo.

Ministrja Balluku informoi se Triporti në Vlorë do të shndërrohet në një port mallrash dhe peshkimi.

“Kemi një plan afatgjatë. Porti ekzistues komercial do të zhvillohet në një pol tjetër të qytetit që është në Triport. Sot ai është i destinuar vetëm për anijet e peshkimit. Triporti tashmë është vendosur për të qenë një port i integruar, ku ne do të kemi gjitha shërbimet komerciale të portit të Vlorës. Porti do të bëhet nga e para dhe aty do të akomodohet edhe porti i peshkimit”, tha Balluku.

Sipas saj, kjo bën që në zemër të Vlorës të mos ketë më një port komercial me tragete me mallra, por të bëhet një port elitar jahtesh.

Ndërsa porti i Sarandës do të kthehet në një port turistik, i cili do të mundësojë ankorimin e jahteve jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe në dimër, duke e kthyer të gjithë zonën në një turizëm elitar me impakt ekonomik.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Australia drejt rihapjes së kufijve
Artikulli tjetërPërurohet shkolla 9-vjeçare në Pezë, merr emrin e inxhinierit Agron Hysenlliu