Ballina Ekonomi

Udhëtimi drejt Spanjës, TIA: E detyrueshme certifikata e vaksinës

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, njoftoi sot për ndyshimet në regjimin e hyrjes në Spanjë. TIA thekson se duke filluar nga data 20 shtator 2021 shtetasit shqiptarë mund të hyjnë në Spanjë me certifikatë të plotë vaksinimi (doza e fundit e marrë të paktën 14 ditë para udhëtimit).

TIA bën të ditur se, “vaksinat e pranuara janë ato të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO): ose të bëjnë pjesë në një prej përjashtimeve të konsideruara esenciale të Urdhrit INT/657/2020 të datës 17 korrik 2020, ku hyjnë: personat të cilët kanë leje qëndrimi, viza afat gjata Shengen, ose personat që kanë arsye të domosdoshme udhëtimi”.

TIA sjell në vëmendje se, dokumentacioni dhe arsyet esenciale vlerësohen paraprakisht nga autoritetet spanjolle.

“Veç kësaj, do të jenë të pajisur me PCR negative të kryer brenda 72 orët para mbërritjes në Spanjë, ose një test antigjeni të kryer brenda 48 orëve, ose me një certifikatë të kalimit të infeksionit Covid-19, të lëshuar nga autoritetet përkatëse, e vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit”, thekson TIA.

“Pa përjashtim, të gjithë personat që do të udhëtojnë për në Spanjë dhe hyjnë përmes aeroporteve dhe porteve duhet të regjistrohen në portalin https://www.spth.gob.es/, brenda 48 orëve para udhëtimit dhe të pajisen me kodin QR, të gjeneruar nga regjistrimi”, thuhet në njoftimin e TIA-s. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProbleme nga kultivari “Ozgan” i domates në Roskovec, MBZHR: Specialistët në terren
Artikulli tjetërBajrami shënon sërish, ndihmon Empolin të fitojë në Serie A