TIRANË 24 shtator /ATSH-I.Vata/ Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot në lidhje me gjendjen e pandemisë në vend duke akuzuar qeverinë se po përdor pandeminë për propagandë.
Përfaqësuesi i LSI-së, mjeku Besnik Jaka, në një konferencë për shtyp u shpreh se “prej më shumë se një viti e gjysmë, qeveria përdor pandeminë vetëm për propagandë dhe interesat e saj”.
“Qytetarët shqiptarë paguajnë miliona euro për t’u trajtuar dhe në përpjekje për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e tyre prej pandemisë. Sipas statistikave qytetarët shqiptarë kanë harxhuar mbi 150 milionë euro për trajtime mjekësore të COVID-19. Qeveria nuk ka miratuar asnjë paketë për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve që i paguajnë të gjitha shpenzimet nga xhepat e tyre të varfër. Nuk ka asnjë plan strategjik shkencor për t’ju ardhur në ndihmë të infektuarve nga Covid-19 dhe nuk ka asnjë mbështetje për personelin shëndetësor. Ndërkohë qeverise nuk i mungojnë paratë për të paguar koncensionet korruptive në shëndetësi dhe në fushat e tjera. Në të gjitha raportet ndërkombëtare Shqipëria renditet e fundit në testime, në mbështetje financiare, në mungesë aksesi shëndetësor për qytetarët, dhe e para në propagandë dhe përfitime në dëm të shëndetit dhe jetës së qytetarëve të saj. I bëjmë thirrje Qeverisë, që të heq dorë nga propaganda dhe t’ju vijë në ndihmë qytetarëve shqiptarë duke ju rimbursuar shpenzimet për diagnostikimin, analizimin dhe mjekimin e të infekturave”, tha ai.
/j.p/r.e/












