Investimet e huaja, industria nxjerrëse kryeson me 55 milionë euro

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Industria nxjerrëse është sektori me flukset më të mëdha të investimeve të huaja në tremujorin e dytë të 2021-shit.

Banka e Shqipërisë publikoi statistikat zyrtare sipas të cilave, industria nxjerrëse solli 55 milionë euro investime të huaja, me nëntë herë rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Industria nxjerrëse kryeson në sektorët e ekonomisë së vendit që ka tërhequr më shumë investime të huaja, në shifrën e 95 milionë euro ose 20 % të totalit në 6-mujorin e parë të 2021-shit.

Finalizimi i disa prej projekteve të rëndësishme në energjetikë, ka sjellë rokadën në renditje, duke ngjitur në vend të parë industrinë nxjerrëse, si sektorin që sjell vlera të larta të investimeve të huaja kryesisht në prodhimin e naftës bruto.

Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto.

Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure dhe kompania SHELL, është së fundi një tjetër investim madhor në fushën e naftës në vendin tonë.

Ndërkohë që rritja e çmimit vitin e fundit e produkteve nga ky sektor, duket se ka nxitur rritjen e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri, sidomos gjatë tremujorit të dytë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.