Ballina Bota

COVID-19 – Finlanda vendos kushtin për heqjen e kufizimeve

HELSINKI, 14 shtator /ATSH-AFP/ – Finlanda do të heqë kufizimet e fundit antiCOVID-19 në fuqi, kur 80 për qind e popullsisë së rritur të jetë plotësisht e vaksinuar, njoftoi qeveria, një kufi që duhet të arrihet deri në tetor.

“Qëllimi ynë është të rihapim shoqërinë dhe ta mbajmë të hapur”, u tha kreu i qeverisë, Sanna Marin, gazetarëve në Helsinki, pas një takimi të kabinetit për strategjinë e vendit kundër COVID-19.

“Rritja e mbulimit të imunizimit është çelësi për të arritur këtë”, shtoi ajo, duke sqaruar se masat kufizuese do të hiqen gradualisht pasi të përmirësohet gjendja shëndetësore.

Finlanda, vendi më pak i populluar në Bashkimin Evropian, ka përjetuar një nga nivelet më të ulëta të infektimeve në rajon që nga fillimi i pandemisë, edhe pse numri i rasteve është rritur ndjeshëm muajt e fundit, veçanërisht në mesin e grupeve të pavaksinuara të popullsisë.

Vendi nordik me 5.5 milion banorë numëron vetëm 53,2 për qind të popullsisë plotësisht të vaksinuar, sipas autoritetit shëndetësor publik THL./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakColdplay bashkëpunim me BTS për albumin e ardhshëm
Artikulli tjetërCOVID-19, Ministria e Shëndetësisë: 995 raste të reja dhe 5 humbje jete në 24 orët e fundit