Ballina Flash

Restaurimi i mozaikut te Muzeu Kombëtar, Soreca: Progres i mirë i programit pas tërmetit

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për restaurimin e mozaikut në fasadën kryesore, një projekt madhor i mundësuar falë programit “EU4Culture”, zbatuar nga UNOPS.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndoqën sot nga afër ecurinë e punimeve të restaurimit të mozaikut.

“I kënaqur të shoh progresin e mirë të programit tonë pas tërmetit ‘EU4Culture’ në zemër të Tiranës. Me Ministren e Kulturës Elva Margaritin ishim dëshmitarë të procesit gjithëpërfshirës të restaurimit në Muzeun Historik Kombëtar, të shpjeguar nga një prej autorëve të mozaikut, Agim Nebiu”, tha ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuar nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.

Programi EU4Culture synon të ndihmojë në përmirësimin dhe nxitjen e tërheqjes ndaj këtyre siteve.

UNOPS është një nga agjencitë e OKB-së të specializuara në infrastrukturë, menaxhim projekti, prokurim, menaxhimi financiar dhe burime njerëzore.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShkolla e re “Murat Toptani” gati të mirëpresë 360 nxënës dhe stafin edukativ
Artikulli tjetërMEPJ: Belgjika rikthen kufizimet për udhëtimet jo esenciale nga Shqipëria