Ballina Ekonomi

INSTAT: Paga mesatare mujore u rrit me 4,7 %

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Paga mesatare mujore ka shënuar rritje përgjatë tre 3-mujorëve radhazi.

INSTAT bën të ditur se paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të dytë 2021 është 56.710 lekë, duke u rritur me 4,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, “gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,13 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkimi është 36,7 % më e ulët”.

Gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Tregtisë; transportit; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ka rritjen më të madhe prej 9,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme, aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknik; aktiviteteve të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 0,7 %.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021, paga për grup-profesionin e punëtorëve (profesione elementare) ka rritjen më të madhe prej 8,9 %, ndërsa për grup-profesionin e nëpunësve ka një rritje më të vogël, prej 0,6 %.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKQZ zëvendëson mandatet e 4 deputetëve të dorëhequr
Artikulli tjetërRestaurimi i Kishës së Manastirit të Shën Marisë së Athalit, miratohet projekti