Ballina Aktualitet

Zjarri në spitalin e Tetovës, mesazhe ngushëllimi për familjet e viktimave

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Krerë të politikës shqiptare kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave që humbën jetën në spitalin Covid në Tetovë mbrëmjen e djeshme, si pasojë e një zjarri.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka reaguar për humbjet e jetëve nga zjarri në spitalin e Tetovës.

“Është një lajm që na ka dëshpëruar të gjithëve. Ndaj dhimbjen e thellë me familjet e njerëzve që humbën jetën, motrat e vëllezërit tanë tetovarë, me shqiptarët dhe gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut”, shprehet kryeparlamentari Ruçi.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehet se “dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë”.

“Thellësisht të pikëlluar nga tragjedia në spitalin COVID të Tetovës. Ngushëllimet më të ndjera familjarëve e mbarë komunitetit shqiptar. Dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë”, shprehet Xhaçka.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehet: “Ngushëllime për jetët e humbura nga shpërthimi në spitalin Covid në Tetovë! Jemi përkrah popullit të Tetovës në këto momente të vështira, të gatshëm për çdo mbështetje”.

Në reagim për ngjarjen e ndodhur në Tetovë, kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehet: “Pikëlluese lajmet e hidhura që vijnë nga Tetova. Në këtë ditë tragjike i bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve të viktimave e ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar këtë tragjedi. Shërim të shpejtë të lënduarve. Lutemi për Tetovën”.

Kryetari grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas zjarrit që përfshiu spitalin e Tetovës, ku humbën jetën 14 pacientë dhe disa të tjerë mbetën të lënduar.

Balla shpreh ngushëllimet e sinqerta për viktimat, si dhe i uron shërim të shpejtë të lënduarve.

“Jemi me ty Tetovë, jemi pranë familjeve të viktimave duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta, e duke shpresuar që të lënduarit të mund të shërohen sa më shpejt”, shprehet Balla.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për jetët e humbura pas zjarrit që përfshiu një spital të Tetovës.

Veliaj u uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe shpreh mbështetjen për ekipet e emergjencave. “Ngushëllimet më të ndjera nga Tirana qytetarëve të Tetovës për jetët e prekura nga shpërthimi i zjarrit në spitalin modular. Shërim të shpejtë të plagosurve, kurajo ekipeve të emergjencave dhe kolegëve tanë Teuta Arifi, Artan Grubi, Ali Ahmeti dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut”, shprehet Veliaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDyfishohen eksportet drejt Greqisë, importet me ritme më të ngadalta
Artikulli tjetërBRUKSEL- NATO: Talebanët duhet të mbajnë premtimet e bëra