Ballina Flash

Bino: Mbi 30% e popullatës e vaksinuar me të dyja dozat

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, prof Silva Bino deklaroi sot se Shqipëria ka vaksinuar 30% të popullatës me dy doza, ndërkohë që synimi është imunizimi i rreth 70% të popullsisë deri në fund të vitit.

“E kemi kaluar 30% të popullatës që ka marrë dy doza. Ne synojmë të vaksinojmë 70% të popullatës deri në fund të këtij viti. Deri tani vendi ka siguruar 3 milionë vaksina dhe është në proces për sigurimin e vaksinave të tjera. Këtë javë kemi një rritje të numrit të vaksinimeve me dozë të parë dhe dozë të dytë”, tha ajo në një intervistë televizive.

Bino dha shpjegime edhe për vaksinimin e grave shtatzëna.

“Fetusi te gratë shtatzëna nuk rrezikohet. Nga të dhënat paraprake të studimeve nuk ka të dhëna të dëmtimit të fetusit. U kryen studime në SHBA dhe BE dhe kjo është arsyeja që rekomandohet vaksinimi i grave shtatzëna në të gjitha periudhat e shtatzënisë. Vaksina nuk shkakton dëmtime. Ato duhet të vaksinohen pasi janë objekt risku në lidhje me Covid, këtë vit kemi rritje të numrit të grave shtatzëna të prekura me Covid”, theksoi Bino.

Bino më tej apeloi edhe qytetarët që kanë kaluar infeksionin që të vaksinohen.

“Të dhënat tregojnë që edhe ata persona të cilët e kanë kaluar Covid dhe bëjnë vaksinën kanë një mbrojtje më të mirë imunitare. Vaksinimi është i rëndësishëm dhe tek personat që e kanë kaluar COVID-19. Këto janë studime të thelluara. Vaksinimi nuk shkakton asnjë dëm, përmirëson dhe rrit imunitetin”, tha Bino.

Ajo deklaroi se vaksina nuk ka asnjë lidhje me fertilitetin. “Kushdo që planifikon shtatzëninë nuk ka arsye që mos bëjë vaksinën. Të gjitha vaksinat janë të sigurta”, theksoi ajo. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKontrolle me radar, pezullohen 25 leje drejtimi për shpejtësi tej normave 
Artikulli tjetërGjinushi: Krijimi i qendrave elitare të kërkimit, rruga për t’u aftësuar për të qenë konkurrues