Ballina Ekonomi

Kredia për individë, rritje 83% me bazë vjetore

TIRANË, 6 shtator /ATSH/ Kredia për individë është rritur me 83% me bazë vjetore, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar së fundi mbi treguesit e kreditimit.

Sipas BSH-së, kontributi kryesor në rritjen e kredisë për individët ka ardhur pikërisht nga kredia për blerjen e banesave.

Për të gjithë 6-mujorin 2021, sektori bankar në vend ka disbursuar 19 miliardë lekë, ose rreth 155 milionë euro kredi të reja për shtëpi.

Normat e ulëta të interesit dhe gatishmëria e bankave për të financuar në këtë segment ka nxitur individët të marrin hua për të investuar, kryesisht në banesa dhe sipërmarrje të reja biznesi.

Nxitja e kredisë për individët, sipas ekspertëve bankar ndikon kryesisht në rritjen e konsumit që ka impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë së vendit.

Ekspertët vërejnë se, sistemi bankar ka vijuar përmirësimin në gjysmën e parë të këtij viti. Kredia po rritet, e shtyrë sidomos nga segmenti i individëve dhe huat me probleme janë në nivelet më të ulëta në 12 vjet, ndërsa fitimi i periudhës për bankat, është më i larti i dekadës së fundit. /a.a/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKontrolli Teknik për mjetet e rënda, DPSHTR: Vjen kolaudimi te parku
Artikulli tjetërRindërtimi dhe investimet, rritet importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve