Ballina Aktualitet

Xhaçka pret homologun danez: Mbështetja e Danimarkës, provë e qartë e progresit të Shqipërisë

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot në një takim në Tiranë Ministrin e Jashtëm danez, Jeppe Kofod, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri.

Në një deklaratë për shtypin pas takimit, ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE.

Ajo u shpreh se Danimarka ka qenë një nga gjyqtaret më të rrepta e më kërkuese në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe se mbështetja e saj është provë e qartë se progresi i bërë ka qenë i prekshëm dhe bindës.

“Ne patëm rastin të bisedojmë nga afër për gjithçka kemi bërë, por edhe për kushtet e vështira në të cilat është bërë kjo punë vërtet e madhe për përmbushjen e çdo kërkese të BE-së. Pata rastin të shpreh pritshmëritë e larta që ne kemi nga mbledhja e radhës e Këshillit të BE-së, si një vend që tanimë e meriton dhe është plotësisht i gatshëm për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, u shpreh ministrja në deklaratën e saj pas takimit me homologun danez.

Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohje për kontributin e qeverisë daneze për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe në luftën ndaj pandemisë.

Ajo garantoi bashkëpunim me Danimarkën në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe çështje të klimës gjatë mbajtjes së anëtarit të përkohshëm në Këshillit e Sigurimit të OKB, vend të cilin Danimarka synon ta marrë në vitet 2025 – 2026.

Kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm danez në Shqipëri, që pas vizitës së Per Stiger Moller 15 vite më parë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTryeza, SHBA vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë përmes Reformës në Drejtësi
Artikulli tjetërAFGANISTAN- Zbret avioni i parë në Aeroportin e Kabulit nën kontrollin e talibanëve