TIRANË, 2 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste emrat e kabinetit të ri qeveritar, Sekretariatit Ekzekutiv, drejtuesve të rinj të qarqeve, si dhe përbërjen e grupit të punës së Akademisë Politike.
Disa nga figurat kryesore të PS-së, lanë detyrat e tyre duke marrë poste të reja drejtuese, ose u rikonfirmuan në detyrë.
Gjonaj: Punët e nisura do të çohen para nga Ulsi Manja
Në një prononcim për mediet, Etilda Gjonaj, e cila nuk u rikonfirmua në kabinetin e ri qeveritar, por mori rolin e Sekretares së Gruas në PS, shprehu bindjen se “punët e nisura do të çohen para nga Ulsi Manja”.
“Në 4 vite në krye të Drejtësisë jam munduar të jap maksimumin tim dhe besoj se falë mbështetjes që kam marrë, kemi arritur rezultate sinjifikative që do të çohen para nga Ulsi Manja. Besoj se një ministre me një mandat të plotë është i mjaftueshëm dhe besoj se kjo është një kohë e mjaftueshme në krye të dikasterit. Unë i uroj suksese Ulsi Manjës dhe kam bindjen se do të çojë para të gjitha projektet e nisura”, tha Gjonaj.
Peleshi: Kemi detyrimin të lexojmë mirë votën, nuk jemi të pazëvendësueshëm
Ndërsa Niko Peleshi, i rikonfirmuar në postin e Ministrit të Mbrojtjes tha për mediet se “priste një emër tjetër, pasi të gjithë janë të zëvendësueshëm”.
“Jam shumë i bindur që ajo çka u parashtrua nga Kryeministri, mbi nevojën e një rishikimi të gjithë organizatës sonë politike, mendësisë dhe kulturës, edhe pse jemi fitimtarë, është ajo që duhet të na motivojë të gjithëve. Kemi detyrimin të lexojmë mirë edhe votën pro, edhe atë kundër, edhe votën e shqiptarëve, që mbase na panë si alternativën më të mirë, por jo aq të mirë sa do donin të ishim. Unë kam prej 8 muajsh që shërbej në pozicionin e Ministrit të Mbrojtjes, por kur fillon një mandat i ri, fillon një qeveri e re. Ne nuk jemi të pazëvendësueshëm. Kështu që prisja edhe emra të rinj, për të cilët nuk do të kisha hatërmbetje, por do t’u uroja më të mirën”, tha Peleshi.
Bushati: Përmirësimi i hapësirës së debatit politik do të fillojë nga PS
Ditmir Bushati, i emëruar si anëtar i grupit të punës për ngritjen e Akademisë Politike të PS-së, ndërsa është edhe kandidat për anëtar të Kryesisë së partisë, tha se shpreson të zgjidhet anëtar i kryesisë.
“Unë kam bërë votimin si gjithë anëtarët e tjerë të Asamblesë. Shpresoj të zgjidhem dhe të vazhdoj kontributin tim për PS. Kam përshtypjen që në fjalën e tij, kryetari i PS e theksoi se ka vend për të përmirësuar gjithë hapësirën e debatit politik. Përmirësimi i hapësirës së debatit politik jam i bindur që do të fillojë nga PS”, tha Bushati.
Manastirliu: Puna nuk bëhet vetëm, por në ekip
Ogerta Manastirliu u rikonfirmua sot në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në një prononcim për mediet, Manastriliu tha se “bashkë me ekipin kanë bërë një punë të mirë sa i përket menaxhimit të pandemisë”.
“Puna nuk bëhet vetëm, por në ekip. Nën drejtimin e Ramës padyshim që me përpjekjet e ekipit në Ministrinë e Shëndetësisë, ia kemi dalë të shkojmë në një nivel të mirë, sa i përket të gjithë administrimit të menaxhimit të pandemisë”, tha ministrja.
Ekonomi: Sfida jonë, t’i shërbejmë publikut sa më mirë
Milva Ekonomi nuk do të jetë më Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por është caktuar nga Kryeministri Edi Rama në postin e Ministres së Shtetit për Standardet dhe Shërbimet.
Në një prononcim për mediet, Ekonomi tha se “ky është një hap i ri”.
“Është një hap tjetër, sepse është një ministri komplet e re, është një gjë komplet e re, kështu që është shumë mirë. Ka shumë gjëra përpara që duhen bërë mirë, që duhen përmirësuar, në mënyrë që publikut t’i shërbehet më mirë. Kjo do të jetë sfida jonë”, tha Ekonomi.
Margariti: Rikonfirmimi në detyrë, përgjegjësi dhe sfidë e madhe
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e konsideroi sot rikonfirmimin në detyrë si një përgjegjësi dhe një sfidë të madhe.
“Me më shumë përgjegjësi dhe më shumë energji. Kjo përgjegjësi e dhënë nga Kryeministri, nuk është një fitim besimi për sot, por është një luftë për të fituar atë gjithmonë e në vazhdim. Fokusi në mandatin e tretë janë mungesat e hapësirave për artin dhe kulturën, por edhe mbi të gjitha politika të reja për fëmijët. Jemi në hartimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për fëmijë. Sot është patjetër një sfidë e madhe dhe një përgjegjësi e madhe e shtuar”, tha Margariti.
Kushi: Kryeministri gjithmonë i ka mbështetur të rinjtë
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi tha se është e lumtur që Bora Muzhaqi u zgjodh Ministre Shteti për Rininë dhe Fëmijët, pasi është një person që përkushtohet dhe ka besimin se do të punojë mirë.
“Kryeministri gjithmonë i ka mbështetur të rinjtë, përfshirjen e tyre në vendimmarrjen politike. Nuk është ndonjë surprizë, Bora ka qenë gjithmonë e përkushtuar dhe kam besim se do të punojë mirë. Aq më tepër unë e njoh se e kam pasur zv/ministre”, tha Kushi.
Çuçi: Mandati i tretë, kontratë e re besimi për të vijuar me punët e nisura
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e konsideroi sot rikonfirmimin në detyrë si vlerësim dhe përgjegjësi e lartë në të njëjtën kohë.
“Rikonfirmimi në postin e Ministrit të Brendshëm dhe drejtimi politik i qarkut Berat janë një tjetër vlerësim nga Kryeministri dhe Partia Socialiste, po aq sa edhe një përgjegjësi e lartë në të njëjtën kohë. Në krye të këtij institucioni kaq shumë të rëndësishëm do të vazhdoj të punoj për të çuar përpara sfidat që lidhen me garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe me përballjen me paligjshmërinë”, shprehet Çuçi në reagimin e tij.
“Kontrolli i territorit, lufta ndaj kriminalitetit dhe ngritja e punës së Policisë së Shtetit në një tjetër nivel, mbeten prioriteti ynë i përbashkët përgjatë mandatit të tretë. Mandat që është një kontratë e re besimi për të vijuar me punët e nisura, për të bërë shkëputjen e madhe të vendit dhe për ta ndërtuar këtu të ardhmen tonë”, shprehet Çuçi.
“Një falenderim të veçantë sidomos për të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë dhe qytetarët në qarkun Gjirokastër, për mbështetjen që më kanë dhënë mua e Partisë Socialiste në këto vite. Faleminderit. Mezi pres të punoj edhe me socialistët dhe qytetarët e Beratit, Skraparit, Poliçanit, Kuçovës e Dimalit, për të bërë po aq punë të mira si në qarkun Gjirokastër, për të shtyrë më tej investimet dhe projektet që zhvillojnë turizmin, bujqësinë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë së këtij qarku”, theksoi ai.
/r.e/






















